Site icon PrishtinaPress

5 vjet burgim për dy ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës

Dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi, dhe Besim Tahiri, janë dënuar me pesë vjet burgim, si të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve është shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bekteshi është dënuar me dy vjet burgim, ndërsa i akuzuari Tahiri me tri vjet.

Po ashtu, atyre u është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Sipas aktgjykimit, dy të akuzuarit detyrohen që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia kompensojnë dëmin në vlerë 29 mijë e 828 euro, raportoi Betimi për Drejtësi.

Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi, që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

I pandehuri Tahiri akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqesë kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

I pandehuri Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit”, pasi që thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. /BetimiPërDrejtësi

Exit mobile version