Ai ka dominuar Rusinë për më shumë se 20 vjet, madje duke e çuar vendin në një pushtim shkatërrues të Ukrainës, por një ish-spiun britanik beson se mbretërimi i Vladimir Putin së shpejti mund të përfundojë.
Ish-spiuni britanik Christopher Steele, i cili shkroi një dosje për Donald Trump dhe ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, thotë se beson se Vladimir Putin do të mbetet pa pushtet “brenda vitit të ardhshëm”.
Steele, i cili po ashtu drejtoi operacionet e MI6 për Rusinë nga selia në Londër midis 2006 dhe 2009, i tha Sky News se Perëndimi duhet të përgatitet për fundin e epokës së Putinit.
Krisjet në nivelet e kontrollit që aplikon presidenti rus u ekspozuan gjatë grushtit të shtetit të ndërprerë të Wagner-it dhe këtu Steele kalon nëpër disa skenarë të mundshëm që mund t’i japin fund mbretërimit të kreut të Kremlinit.
1-Putini vdes nga sëmundja ose vritet
Thashethemet për shëndetin e Putinit kanë qenë të shumta, duke përfshirë thashethemet se ai është i sëmurë rëndë me kancer.
Steele thotë se natyra e saktë e çdo ankese shëndetësore është e paqartë, por “burime shumë të besueshme po na thonë se ai ka qenë i sëmurë prej disa kohësh“, duke shtuar zërat që thonë se ai mund të vdesë papritur.
Është gjithashtu e mundur që ai të vritet, ndoshta nga elementë të brendshëm, ose nga një komplot nga jashtë Rusisë.
Steele thotë se ky do të ishte skenari më i keq për Perëndimin pasi “të gjitha bastet do të prisheshin“, me “gjakderdhje fraksionale” të mundshme përpara se të vendoset një pasardhës.
“Drejtori i FSB-së, Aleksandër Bortnikov mund të jetë një nga favoritët për të marrë pushtetin në një skenar të tillë”, thotë ish-spiuni britanik.
2- Putin rrëzohet për shkak të dështimit të luftës në Ukrainë
Putin besonte se një fitore e shpejtë ishte e mundur kur ai pushtoi Ukrainën, por realiteti ka folur ndryshe.
Ambiciet për të marrë nën kontroll të gjithë vendin ishin të pabaza dhe luftimet vazhduan, pavarësisht nga shumë vdekje dhe trupa të demoralizuar.
Steele thotë se përparimi i ngadaltë i kundërofensivës së Ukrainës mund t’i ketë dhënë Putinit një hapësirë për frymëmarrje, por shqetësimi për pushtimin dhe efekti shtrëngues i sanksioneve mbi ekonominë ruse dhe të pasurit e të fuqishmit mund të jetë thelbësor.
Ai beson se ky është skenari më i mundshëm, me narrativën e mëposhtme: “Një veprim mund të bëhet me dhunë nëse është e nevojshme për të vrarë ose rrëzuar Putinin në favor të një oligarku tjetër sigurie ose regjimi. Por këtë e bën vetëm dikush që është distancuar nga lufta dhe është i përgatitur për të negociuar me Perëndimin për t’i dhënë fund asaj.“
Ai thotë se “ylli në rritje” Aleksey Dyumin, guvernatori i rajonit Tula, është një pasardhës i mundshëm.
Të tjerët janë oligarku Igor Sechin – me nofkën ‘Darth Vader’ dhe ish-kryeministri rus Viktor Zubkov.
Teksa një narrativë e tillë mund të përshpejtojë përfundimin e luftës, Steele thotë se një tjetër rezultat mund të shohë kontrollin e pushtetit që merret nga nacionalistët në shërbimet e sigurisë, të cilët kanë humbur besimin te Putini, por duan të vazhdojnë luftën.
3-Putin tërhiqet dhe miraton pasardhësin
Pas më shumë se 20 vjetësh në pushtet dhe me presione në rritje, 70-vjeçari mund të vendosë se është koha të largohet dhe të japë dorëheqjen në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për t’u zhvilluar në mars 2024.
Steele thotë se zgjedhjet i japin atij një “potencial të jashtëzakonshëm” dhe se Putini mund të zgjedhë të mbështesë një pasardhës si Dmitry Patrushev, djali i sekretarit të Këshillit të Sigurimit rus, ose Aleksey Dyumin.
Ish-anëtari i MI6 thotë se një nga këto figura si lider do të nënkuptonte “pak ose aspak ndryshim në luftën në Ukrainë, por të paktën Perëndimi do të përballej me një lider rus që nuk është dëshmuar se është i pabesueshëm, gënjeshtar dhe nuk është paditur për krime lufte”.
Si pjesë e një marrëveshjeje për të hequr dorë, Putini mund të kërkojë gjithashtu imunitet për të dhe familjen e tij – ngjashëm me marrëveshjen e arritur kur ish-presidenti Boris Yeltsin la pushtetin në 1999.
“Kjo qëndron në mendjen e tij [Putinit] si një marrëveshje që mund të jetë në tavolinë për të në vazhdim”, thotë Steele.
4-Putin rrëzohet me grusht shteti ushtarak
Përpjekja për grusht shteti nga mercenarët e Wagner-it, që thuhet se kishte për qëllim goditjen e liderëve ushtarakë të Rusisë dhe jo vetë Putinin u ndalua nga udhëheqësi i saj përpara se trupat të arrinin në Moskë.
Por Steele thotë se një tjetër hipotetike do të ishte një komplot i orkestruar nga oficerë të lartë nga forcat e armatosura kryesore të vendit “të zhgënjyer nga dështimet dhe humbjet në Ukrainë“.
Ai shpjegon se kjo nuk do të përbënte “asnjë ndryshim në luftën apo politikën e jashtme ruse“, por mund të rezultojë në një regjim kalimtar me një figurë të tillë si gjenerali Surovikin, komandant i forcave ajrore ruse, si President.
Megjithatë, ndërsa është e mundur, ai e vlerëson këtë skenar si “shumë të pamundur“.
Steele shton: “Unë mendoj se ka një shqetësim të vërtetë midis njerëzve kryesorë në udhëheqje tani. Jo vetëm në Forcat e Armatosura ku gjeneralët kanë kritikuar hapur Putinin dhe Kremlinin për mbështetjen për luftën – gjë që është e padëgjuar – por në përgjithësi ideja e trajektores së Rusisë tani, e udhëhequr nga një president i cili është paditur për krime lufte, i cili po e çon ekonominë ruse në një rrugë të gabuar”.
5-Putin rrëzohet me një kryengritje popullore
Një rrugë tjetër më pak e mundshme që Putini mund të rrëzohej do të ishte një kryengritje. Kjo sipas Steel mund të organizohej ose nga një figurë nacionaliste si shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, ose në formën e një veprimi demokratik nga mbështetësit e liderit të opozitës rus të burgosur, Alexei Navalny.
Ish-spiuni i MI6 thotë se kjo do të ishte “shumë e paparashikueshme dhe ndoshta e përgjakshme në afat të shkurtër“. Sipas tij do të kishte dukshëm më pas rezultate më të favorshme për Perëndimin dhe Ukrainën nëse figurat demokratike do të ishin në gjendje të merrnin kontrollin./A2CNN/