Një 47-vjeçar nga Shtimja, Xh. Rexhaj, ka dorëzuar në stacionin policor në Shtime një portofol që e kishte gjetur në rrugën “Përparim Boshnjaku”.
Policia tha se në prezencën e tij dhe të zyrtarëve policorë, u konstatua se në portofol ishin 142 euro, 10 franga zvicerane dhe dokumente personale.
“Pas verifikimit, portofoli rezultoi të ishte i L.B nga Shtimja. Policia kontaktoi pronaren, e cila erdhi në stacion për ta marrë portofolin. Dokumentet dhe paratë iu kthyen asaj me procesverbal”, tha policia, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj shprehu mirënjohje për qytetarin Rexhaj, duke e vlerësuar këtë si akt human dhe që pasqyron standarde të larta të integritetit dhe përgjegjësisë qytetare.