Site icon PrishtinaPress

4 vjetori i Ushtrisë së Kosovës, reagon Ramush Haradinaj

Kur erdhi në krye të Qeverisë Ramush Haradinaj, Kosova ende nuk e kishte një element kryesor të shtetësisë edhe pas 10 vjetësh pas shpalljes së pavarësisë. Vendi ishte zyrtarisht pa ushtri, ndonëse i kishte ushtarët dhe oficerët të gatshëm për ta kryer këtë detyrë. Ndryshimi i mandatit të tyre nisi në mëngjesin e 13 shtatorit 2018. Atë ditë, në mbledhjen e Qeverisë u miratuan tre projektligje që Kosovës i hapnin rrugën për krijimin e ushtrisë, Ligji për FSK-në, Ligji për shërbim në FSK dhe Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes.

Me keto dokumente djemve e vajzave në FSK do t’iu jipeshin detyra shtesë. Ata do të bëheshin Ushtria e Kosovës. Për këto veprime, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, zhvillonte konsulta me amerikanët gjatë gjithë procesit.

Shumë personalitete vendore kishin dyshime nëse ishte momenti i duhur që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa për krijimin e ushtrisë pa ndryshime kushtetuese, siç kërkonte një pjesë e Bashkësisë Ndërkombëtare.

Institucionet kosovare kishin provuar edhe dy herë më parë të transformonin Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri. Mirëpo, këto iniciativa nuk dolën të suksesshme. Një javë pas miratimit të këtyre dokumenteve në Qeverinë e Kosovës, Haradinaj udhëtoi për vizitë zyrtare në ShBA. Atje u prisht nga Sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis. Temë kryesore ishte bërja e Ushtrisë së Kosovës. Mattis ishte i qartë sa i përket kësaj çështje, dhe atë ia tha në takim shefit të qeverisë kosovare, “Kryeministër faleminderit për letrën dhe planin për transformimin e FSK-së. E kam këtu para vetes. Unë jam me ju dhe do të jem me ju përgjatë gjitha fazave të implementimit”, thoshte Gjeneral Mattis atëkohë.

Haradinaj në Kosovë u kthye me lajme të mira. “Mund t’iu themi se Kosova e ka bekimin e Amerikës për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Ky ndoshta është lajmi më i mirë që e sjellim prej Amerikës kësaj here”, tha Haradinaj në një konferencë për media pas kthimit nga vizita në Amerikë.

Projektligjet tashmë ishin proceduar në Kuvend dhe më 18 tetor ishte caktuar seanca për shqyrtimin e parë të tyre. Këto dokumente morën edhe përkrahjen e opozitës atëkohë. Edhe pakicat përveç serbëve mbështetën projektligjet e Qeverisë. Haradinaj në fjalimin e tij para deputetëve, tha se “në një Kosovë të sigurt, gjithë kanë arsye të ndihen të sigurt, duke përfshirë gjitha komunitetet”.

Procedura kërkonte që këto projektligje të kalonin edhe në lexim të dytë. Seanca për këtë çështje u caktua më 14 dhjetor 2018. Shefi i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg insistonte që ndryshimi i mandatit të FSK-së të ndodhte përmes Kushtetutës. Kjo deklaratë nuk e ndali spektrin politik në qëllimin e tyre. Më 14 dhjetor edhe njëherë u bënë bashkë pozitë dhe opozitë. Të gjithë i votuan dokumentet me të cilat Kosova po bëhej me ushtri.

Të njëjtën ditë në mbrëmje u mbajt ceremonia solemne e krijimit të ushtrisë. Uniteti sa i përket çështje u reflektua qysh në fillim, kur hynë të tre liderët e atëhershëm institucional së bashku në sallë.

“Kosovë, urime katër vjetori i Ushtrisë!
Krenar që pata mundësinë ta vendos një gur në themelin e Ushtrisë së Kosovës! Në katër vjetorin e themelimit të saj, po e rikthej në vëmendjen tuaj një fjalë timen, nga zemra” shkruan Ramush Haradinaj në 4 vjetorin e Ushtrisë së Kosovës./Prishtinapress/

Exit mobile version