Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e tronditur për vrasjen e gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
Haxhiu, theksoi se të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromise në adresimin e këtyre rasteve.
“Edhe një jetë u shua sot! E tronditur nga lajmi për vrasjen e gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal”, shkroi Haxhiu në rrjetin e saj social në Facebook.
“Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve”.
Ajo theksoi se janë në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptojnë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrim veprimet sipas kompetencës.
“Në këto momente të vështira jemi me familjen dhe të afërmit e të ndjerës dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”.