Site icon PrishtinaPress

38 sportistë përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Evropiane 2023

photo by: @Shpend Ahmeti

38 sportistë të tetë sporteve të ndryshme do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Evropiane, të cilat prej 21 qershor deri më 2 korrik 2023 do të mbahen në Krakoë dhe Malopolska të Polonisë.

Ekipi është prezantuar sot, në ceremoninë e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në Hotel Swiss Diamond.

Sportistët vijnë nga sportet e atletikës, boksit, kajakimit, shenjëtarisë sportive, taekwondosë, shigjetarisë, çiklizmit malor dhe tekbollit.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, duke iu uruar fat sportistëve, kërkoi nga ta, ta japin maksimumin dhe ta përfaqësojnë vendin tonë në mënyrën më të mirë.

“Donjeta Sadiku, Shpejtim Bajoku, por edhe të tjerët, janë potencial për t’u kujdesur për suksesin tonë të radhës në Lojërat Evropiane. Kur jemi tek boksi, motivi i tyre është i lartë, pasi në rast të fitimit të medaljes, ata do të marrin vizën për Lojërat Olimpike Paris 2024, ndërsa sportistët tjerë do të kenë mundësinë të fitojnë po ashtu pikë olimpike”, tha mes tjerash i pari i KOK-ut.

Atletika, e prirë nga Muhamet Ramadani, do të ketë 23 sportistë, boksi shtatë, kurse sportet tjera paraqiten me një dhe dy sportistë.

Xhudoja e Kosovës mungon, pasi në LE 2023, sporti i xhudos paraqitet vetëm me ekipore. Pikërisht në xhudo kemi katër medalje, të fituara në dy edicionet e kaluara të Lojërave Evropiane.

I pranishëm ishte edhe drejtori i BKT Kosova, Suat Bakkal, bankë kjo që është sponsore e artë e KOK-ut. Bakall shprehu mbështetjen e BKT-së për sportistët, duke thënë se banka që drejtojë do të vazhdojë të ndihmojë sportin në forma të ndryshme.

Boksierja Donjeta Sadiku u shpreh optimiste se nga Lojërat Evropiane do të kthehet me medalje, dhe njëkohësisht me normë olimpike Paris 2024.

Sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, prezantoi më pas gjithë ekipin, derisa bëri të ditur se bartës të flamurit në ceremoninë hapëse do të jenë boksierja, Donjeta Sadiku dhe atleti, Muhamet Ramadani.

Lista e plotë www.noc-kosovo.org

Exit mobile version