Site icon PrishtinaPress

34 vjetori i partisë, Abdixhiku: LDK’së i takon ta bëjë rrugën përpara, jemi prijës të projekteve të mëdha

Para të pranishmëve në 34 vjetorin e themelimit të partisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij duhet të ruajë origjinalitetin e vetë të afrimit të njerëzve dhe bashkëpunimit.

Ai tha se LDK-ja ishte përgjigje e thirrjes momentale të historisë dhe se përmes LDK-së, u krijua besëlidhja popullore, në krye të secilës qëndronte prijësi historik, ati themeltar i shtetit të Kosovës, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.

“LDK ka njerëz të ndershëm, patriotë, të dijshëm, të urtë por kokëfortë e insistues për fatin e popullit dhe të vendit tonë. Njerëz që gjejnë gjuhën e bashkë-komunikimit e unitetit shoqëror në Kosovë, e që marrin vendime të matura, të guximshme, historike sikurse të tri dekadave të shkuara”, tha Abdixhiku.

Ai tha se LDK-ja duhet të gjejë e kultivojë proaktivitetin e vet politik. 

“Jo për të qenë forcë plotësuese e ndonjë partie tjetër, as për të kërkuar rahatinë opozitare, por për të qenë forcë prijëse larg nga partitë e tjera. Ky është vendi ynë origjinal. Ky është misioni ynë”, tha ai.

Abdixhiku tha se “kjo fitore e madhe s’është e lehtë; por ajo duhet t’i vijë Kosovës sa më parë”.

“Për ta bërë këtë, ne duhet t’i kthehemi qytetarëve tanë; të njëjtëve që për tri dekada na dhanë mbështetje sepse besojnë e mendojnë si ne. Sepse ne, besojmë e mendojmë si ta”, tha lideri i LDK-së.

Abdixhiku ka falënderuar të gjithë anëtarët e partisë për kontributin e dhënë për më shumë se tri dekada dhe ka ftuar të gjithë që të angazhohen në rrugëtimin historik të LDK-së, fitoren e madhe të dekadës së katërt siç e ka quajtur ai.

“Kjo fitore përmbushë ëndrrën tonë politike të ditëve të para: Kosova një shtet i lirë, i pavarur e sovran, i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Abdixhiku.

Exit mobile version