Site icon PrishtinaPress

3 miliardë e 314 milionë euro buxheti, Kurti tregon planet për vitin e ardhshëm: 860 mln për investime kapitale

Qeveria e ka miratuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit të ardhshëm. Buxheti do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Kryeministri Albin Kurti tregoi në pika të shkurtra se si kanë planifikuar ta ndajnë këtë buxhet, raporton Gazata Express.

“Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të kalojë 216 milionë euro dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jenë mbi 153 milionë euro, 22% më shumë sesa këtë vit”, tha Kurti.

“Edhe arsimi do ta ketë mbështetjen e nevojshme…. Bashkë me grantin që u ndahet komunave, mbështetja buxhetore për arsimin do të arrijë në 370 milionë euro”, tha ai.

Kurti tha se shëndetësia është “prioritet”, ndërsa paralajmëroi se “do të investohet në renovimin e spitaleve, ashtu që më të dashurit tanë të mos kenë nevojë të udhëtojnë jashtë vendit për të kërkuar shërim”. SHSKUK-së i është shtuar buxheti për 25%, tha kryeministri, “kurse për shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro, përfshirë edhe grantin për komuna”.

“Ministrisë së Drejtësisë i kemi ndarë 30% më shumë buxhet, ashtu që të zbatohet deri në fund reformat e nisura në drejtësi”, tha kryeministri.

Për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Kurti tha se “e kemi rritur buxhetin si asnjëherë më parë”. Ai tha se mbi 58 milionë euro janë paraparë për investime kapitale “vetëm për vitin 2024”. Tha se “trendi i njëjtë do të vazhdojë edhe për vitet pasuese”.

Shefi i Qeverisë tha se do të ndahen “860 milonë euro për investime kapitale”.

“Në këtë buxhet është paraparë edhe investimi në digjitalizim dhe e-qeverisje, që do ta zbatojmë bashkë me Bankën Botërore”, theksoi Kurti.

Ai përmendi edhe “reformën sociale”, ndërsa tha se “Fondi Sovran tashmë ka marrë formë”. Kapitali themeltar i këtij fondi, Kurti tha se është paraparë në këtë buxhet.

“Kemi ndarë 744 milionë euro për komunat e Kosovës”, tha Kurti.

 

Exit mobile version