Site icon PrishtinaPress

Ushtrisë ruse i vijnë në ndihmë çeçenët

Autoritetet ushtarake ruse janë në gatishmëri të lartë pas rebelimit të grupit mercenar të Wagner. Tashmë, trupat ruse janë ngritur në jugperëndim të Moskës, ndërsa në të njëjtën kohë, në video shfaqen ushtarë çeçenë, me pajisje të rënda ushtarake si tanke, duke u nisur drejt Rostovit.

 

 

Më herët kreu i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, tha në kanalin e tij Telegram se ushtria çeçene dhe luftëtarët e gardës ruse janë nisur për në zonat e tensionit në Rusi. Kreu i Çeçenisë theksoi se rebelimi duhet të shtypet, duke rënë dakord me atë që Putin tha në fjalimin e tij. Kadyrov e përshkroi sjelljen e Prigozhin si një “thikë pas shpine” dhe u bëri thirrje ushtarëve rusë që të mos pranojnë asnjë “veprim provokues”.

Në të njëjtën kohë, mediat ruse raportojnë se luftëtarët e Wagner po largohen nga terrenet e betejës në Afrikë dhe Siri për t’u bashkuar me Prigozhin. Në të njëjtën kohë, mercenarët kërcënojnë se janë vetëm 4 orë larg Moskës dhe se “beteja” mund të nisë edhe sonte.

Ndërkohë, Vladimir Putin vazhdon të punojë në Kremlin, tha për RIA Novosti zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov. “Presidenti punon në Kremlin”, theksoi Peskov, duke iu përgjigjur raporteve të ndryshme në kanalet Telegram se Putin dyshohet se është larguar nga Moska dhe është, për arsye sigurie, në një nga rezidencat e tij në një rajon tjetër.

 

 

Në të njëjtën kohë, masat e sigurisë në kryeqytetin rus janë rritur në nivelin më të lartë, aktivitetet masive janë ndaluar dhe qyteti është vendosur nën statusin e mbrojtjes antiterroriste. Në këtë moment, situata rreth Pallatit të Kremlinit është e qetë.

Exit mobile version