Qeveria e Kosovës ka pranuar mbi 290 mijë aplikime për shtesat prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat.
Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ai tha se javën e kaluar është formuar komisioni për verifikimin e aplikimeve, ndërkaq këtë javë ka filluar shqyrtimi i aplikimeve.
“Deri më tani janë mbi 290 mijë aplikime për shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat, teksa aplikimi vazhdon të jetë i hapur. Javën e kaluar është formuar komisioni për verifikimin e aplikimeve ndërkaq këtë javë ka filluar shqyrtimi i aplikimeve”, deklaroi Kryeziu.
Ai shtoi se pas verifikimit do të fillojnë ekzekutimin e mjeteve.
“Po punojmë që kjo të ndodhë sa më parë”, tha ai per Telegrafin.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve më 21 prill ka hapur platformën online për aplikim për tërheqjen e shtesave prej 100 eurosh për punëtorët në sektorin privat.