28 Nëntori u festua me atmosferë të veçantë edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Pjesëtarët e togut ceremonial të Forcave të Armatosura të Kosovës u renditën sot në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Krejt këtë e bënë për nder të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ditës kombëtare të flamurit.
Pavarësisht motit të ftohtë, emocioni festiv te qytetarët, nuk mungonte.
Ushtarët e Kosovës u përcollën me duartrokitje, ndërkaq pjesëtarët e FSK-së po i përgjigjeshin thirrjes së udhëheqësit të tyre.
Me të përfunduar ceremonia, familjarë e qytetarë u afruan të fotografohen me ta.
Me plis të bardhë e i shoqëruar nga i ati, 2 vjeçari, Artur Osmani po fotografohej me secilin.
Babai i tij, për T7 tregoi arsyet pse vogëlushi mbante veshje kombëtare.
Pak metra më tutje, vallëzimi para daulles nuk po ndalej.
Vallen po e përcillte edhe një turiste, e cila kishte informata për 28 Nëntorin.
Të veshur kuq e zi, fëmijët po recitonin poezi për Adem Jasharin.
E me aq forcë sa kishin, i madh e i vogël u kujdesën që të valonte flamuri gjigant.
Nën tingujt e çiftelisë, Miftar Buqi pohoi që festa ka ndikuar që të ketë më shumë shitje.
Për nder të 28 Nëntorit, Komuna e Prishtinës organizoi edhe aktivitete të tjera festive.