Kosova dhe Serbia mbrëmë më në fund kanë ardhur deri te marrëveshja për targat.
Kështu bëri të ditur Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i cili tha se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet si KM, PR, e të tjera, teksa Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e veturave.
Në njoftimin e tij rreth arritjes së marrëveshjes, Borrelli ka thënë edhe se të gjitha marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut duhet të zbatohen.
“BE-ja do të sigurojë që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen”, tha ai.
Por, nga viti 2011 deri para marrëveshjes për targat, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar 27 marrëveshje, disa prej të cilave janë zbatuar plotësisht, disa pjesërisht e disa aspak.
Një nga marrëveshjet që pritet të nisë së zbatuari është ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ish-kryeministri Isa Mustafa, pasi më 2015 kishte nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin, kishte thënë se i njëjti nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive.
Njësoj si Mustafa ishte deklaruar edhe ministri i Jashtëm i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
Teksa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se Asociacioni do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin.
“Normalizacija” është organizatë joqeveritare në Serbi, e cila ka bërë një vlerësim të asaj se sa janë zbatuar marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë nga viti 2011.
Këto marrëveshje, organizata në fjalë i ka ndarë në pesë kategori: 1. Të zbatuara plotësisht, 2. Të zbatuara pjesërisht, 3. Fillimi i zbatimit të pikave të rëna dakord, 4. Marrëveshje të zbatuara më së shumti, 5. Të pazbatuara.
Marrëveshja për regjistrin civil, për vulat doganore, shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës, marrëveshja për mbledhjen e të hyrave doganore në veri dhe fondi i zhvillimit, marrëveshja për integrimin e gjyqësorit, për integrimin e mbrojtjes civile, dhe ajo për njohjen reciproke të certifikatave për shoferë dhe automjete, sipas kësaj organizate, janë zbatuar plotësisht.
Ndërkaq, marrëveshja për kadastrën dhe ajo mbi parimet e përgjithshme – elementet kryesore të AKS-së – nuk janë zbatuar.
Pjesërisht të zbatuara, sipas organizatës, janë Marrëveshja mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve si dhe Marrëveshja për revitalizimin e urës së Mitrovicës, raporton Klankosova.tv.
Më poshtë e gjeni një listë me datat e marrëveshjeve të zbatuara, të pazbatuara, të zbatuara pjesërisht, të zbatuara në pjesën më të madhe si dhe i atyre që zbatimi ka filluar (marrëveshja e fundit për targat nuk është e përfshirë në këtë listë):
Marrëveshjet e zbatuara plotësisht
02.07.2011 – MARRËVESHJA PËR REGJISTRIN CIVIL
02.09.2011 – MARRËVESHJA PËR VULAT DOGANORE
24.02.2012 – MARRËVESHJA PËR PËRFAQËSIMIN RAJONAL
04.12.2012 – MARRËVESHJA PËR SHKËMBIMIN E ZYRTARËVE NDËRLIDHËS
17.01.2013 – MARRËVESHJA PËR MBLEDHJEN E TË HYRAVE DOGANORE NË VERI DHE FONDI I ZHVILLIMIT
09.02.2015 – MARRËVESHJA PËR INTEGRIMIN E GJYQËSORIT
26.03.2015 – MARRËVESHJA PËR INTEGRIMIN E MBROJTJES CIVILE
19.04.2016 – MARRËVESHJA PËR NJOHJEN RECIPROKE TË CERTIFIKATAVE PËR SHOFERË DHE AUTOMJETE
Të zbatuara pjesërisht
19.04.2013 – MARRËVESHJA E PARË MBI PARIMET QË RREGULLOJNË NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE
25.08.2015 – MARRËVESHJA PËR REVITALIZIMIN E URËS SË MITROVICËS
Marrëveshje të pazbatuara
02.09.2011 – MARRËVESHJA PËR KADASTRËN
25.08.2015 – MARRËVESHJA MBI PARIMET E PËRGJITHSHME – ELEMENTET KRYESORE TË AKS-SË
Zbatimi ka nisur
08.09.2013 – MARRËVESHJA PËR ENERGJINË
25.08.2015 – KONKLUZIONET E NDËRMJETËSIT TË BE-SË MBI ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË ENERGJISË 2013
04.09.2020 – DOKUMENTET E UASHINGTONIT
30.09.2021 – TAKIMI I KRYENEGOCIATORËVE – MARRËVESHJA PËR TARGAT E VETURAVE
21.06.2022 – RRUGA PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJEVE PËR ENERGJINË
Marrëveshje të zbatuara më së shumti
02.07.2011 – MARRËVESHJA PËR LIRINË E LËVIZJES
21.11.2011 – MARRËVESHJA PËR PRANIMIN RECIPROK TË DIPLOMAVE UNIVERSITARE
02.12.2011 – MARRËVESHJA PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË KUFIJVE
23.02.2012 – PROTOKOLLI TEKNIK PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË KUFIRIT
08.09.2013 – MARRËVESHJA PËR TELEKOMUNIKACIONIN
14.11.2014 – MARRËVESHJA PËR VIZITAT ZYRTARE
19.01.2016 – KONKLUZIONE MBI ZBATIMIN E MARRËVESHJEVE ORIGJINALE
13.09.2016 – ARANZHIMET LIDHUR ME FINALIZIMIN E ZBATIMIT TË MARRËVESHJES PËR LËVIZJEN E LIRË TË VITIT 2011
13.11.2016 – KONKLUZIONET E NDËRMJETËSIT TË BE-SË MBI ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË TELEKOMUNIKACIONIT 2013
30.11.2016 – KONKLUZIONET E NDËRMJETËSIT TË BE-SË PËR DREJTËSINË/Prishtinapress/