4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Rama: Nëse duam që Serbia t’i kërkojë falje Kosovës duhet ta bëjmë paqen

Rama: Nëse duam që Serbia t’i kërkojë falje Kosovës duhet ta bëjmë paqen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Ballkani është rajoni ku Rusia ka influencën e vetë më të madhe në kontinentin e Evropës. Duke folur për raportet Kosovë-Serbi, Rama tha se “nëse duam që Serbia një ditë t’i kërkojë falje Kosovës duhet të bëjmë paqen. Nuk kërkohet falja kaq kollaj, është proces”.

Në një intervistë për Klubin e Debatit Politik, ai ka theksuar se në gjeografinë shqiptare të rajonit ai ndikim është minimal, por sërish i rrezikshëm për të minuar objektivat e integrimit euroatlantik të shteteve.

“Përtej atyre kufijve të atyre republikave gjysmë të varura, gjysmë autonome andej nga stepat, sigurisht se Ballkani është edhe hallka më e dobët e gjithë zinxhirit të vendeve të Evropës në raport me influencën ruse. Brenda Ballkanit kemi dy realitete komplet të kundërta. Kemi realitetin shqiptar, të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku influence ruse është minimale edhe pse përpjekjet e Rusisë për të influencuar këtu nuk kanë munguar”, ka deklaruar Rama, përcjell The Geopost.

Ai ka nënvizuar se tentime për të krijuar trazira ka pasur edhe në Shqipëri, ani se ndikimi i Rusisë është i vogël.

“Për fat të keq kanë gjetur shqiptarë përmes të cilëve janë përpjekur ta bëjnë dëmin e tyre duke i paguar, siç edhe e keni ndjekur, por jo të gjitha, akoma nuk janë shfaqur plotësisht në sytë e publikut. Por, në fund të fundit, ky nuk është një vend dhe shqiptarët nuk janë një komb që kanë ndonjë nostalgji apo ndonjë oreks për Rusinë. Rusia është një vend i madh me një kulturë të jashtëzakonshme, me një histori të jashtëzakonshme, me vlera të mëdha, me shumë gjeni etj, etj. Por të gjitha këto, Rusia e sotme është një vend që s’ka më keq. Ndërkohë që me vendet e tjera Rusia ka tjetër marrëdhënie dhe vendet e tjera kanë tjetër qasje ndaj Rusisë në kuptimin e influencës dhe e gjithë bota sllavo-ortodokse është e ndikuar nga Rusia, plus në mënyrë të veçantë bota serbe, për arsye historike, për arsye konjukturash tradicionale politike”, ka thënë Rama.

Përskaj ndikimit të madh rus në Serbi, Rama ka thënë se ka qenë e jashtëzakonshme që e gjithë gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor ka mbajtur unitetin në raport me luftën në Ukrainë në aspektin politik dhe aspektin institucional në Kombet e Bashkuara.

“Emocionet janë të rëndësishme për të bërë filma, për të shkruar kujtime, për të përjetuar historinë tënde për t’ia kaluar atë brezave, por interesat janë ato që vendosin në marrëdhëniet mes shteteve dhe në marrëdhëniet e një rajoni”, ka thënë kryeministri shqiptar.

Sipas tij, interes i Perëndimit dhe i shqiptarëve është që Serbia të rreshtohet kah BE-ja dhe SHBA-ja, e jo të izolohet.

“Cili është interesi ynë? Që Serbia të izolohet, që Serbia të kthehet në një forcë destruktive apo që Serbia të integrohet me të gjitha vështirësitë, me të gjitha pengesat, me të gjitha ato përpëlitjet e veta në këtë komunitet dhe që çdo kërcitje këtu që kthehet, përkthehet në shkrehje armësh dhe në njerëz jeta e të cilëve vihet në rrezik të evitohet. Unë them që kjo e dyta është më e rëndësishme. Cila është më e rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve tanë në këtë rajon, që t’iu trashëgojmë atyre pasionin për të luftuar kundër njëri-tjetrit dhe mbi të gjitha gjëja që shqiptarët kudo ku janë dhe ata të Kosovës në mënyrë të posaçme, duke qenë se ata kanë pasur pjesën më të madhe të vuajtjes nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit, s’duhet ta harrojnë kurrë, që shqiptarët e kanë fituar luftën. Shqiptarët e kanë fituar luftën e tyre”, ka deklaruar Rama.

Informacionet e operimit të grupeve paramilitare ruse në veri të Kosovës, tentimet për puç në Mal të Zi në vitin 2016 dhe në Maqedoni të Veriut në vitin 2017, Rama i sheh si rrezik ndaj të cilit rajoni duhet të jetë më syçelë.

“Patjetër që rreziku ekziston dhe ky rrezik do të na bëjë të mendojmë për paqe, të mendojmë për të ruajtur një unitet mes vendeve të rajonit. Të gjitha ato tjerat realizohen. Nëse duam që Serbia një ditë t’i kërkojë falje Kosovës duhet të bëjmë paqen. Nuk kërkohet falja kaq kollaj, është proces. Pra, duhet të bëjmë paqen. Dhe, puna për paqen është shumë më e vështirë… Ka disa që thonë se paqja është shumë më e vështirë se lufta. Unë luftë s’kam bërë, preferoj paqen. Sigurisht që lufta është mjet i fundit”, ka nënvizuar në fund Rama.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img