0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

250 kontrata pune çdo vit në Gjermani për infermierët kosovarë

“Qeap-heimerer”, në bashkëpunim me WBS Expert Solutions nga Gjermania, kanë bërë inaugurimin e Programit Gjermano-Kosovar për Arsim dhe Karrierë, i cili mundëson punësimin e mbi 250 profesionistëve kosovarë të fushës së infermierisë në spitalet gjermane.
Mbështetës të programit dhe pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin përfaqësuesi i WBS Expert Solutions nga Gjermania, Dr.Sascha Buchinger, përfaqësues institucionesh vendore, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi,  Zëvendësministri i Shëndetësisë, z. Imet Rrahmani,  e pjesëmarrës tjerë.
Përfaqësuesi i WBS Expert Solutions nga Gjermania, Dr.Sascha Buchinger tha se ndihemi shumë të lumtur që kemi filluar bashkëpunimin me qeap-heimerer, dhe ndihemi të lumtur që gjetëm kaq shumë përkrahje si nga politika po ashtu edhe interesim të madh nga studentët dhe profesionistët.
“Ne si WBS Expert Solution, në bashkëpunim me qeap-heimerer, do të ofrojmë punë legale dhe profesionale për infermierë nga Kosova në Gjermani”, tha z. Buchinger.
Kurse Zëvendësministri i Shëndetësisë, z. Izet Sadiku, u shpreh se pasuria më madhe e Kosovës është rinia dhe ky program tregon se perspektiva e programeve të tilla janë e ardhmja, dhe kjo mundësi e krijimit të kuadrove profesionale për tregun gjerman.
“Kjo ka nisur si ide edhe me Ambasadën Gjermane, që të bëjmë shkëmbime të organizuara të punëtorëve shëndetësorë për tregun gjerman, dhe një pjesë e tyre që do të kthehen do të krijojnë parakushte që të ndryshohet sistemi shëndetësor në Kosovë dhe do të krijohet mundësia e krijimit të një lidhjeje të natyrshme mes Kosovës dhe BE-së. Ky program dëshmon se kemi shkolla që ofrojnë cilësi dhe kapacitetet jo vetëm për tregun kosovar, por edhe atë ndërkombëtar”, theksoi z. Sadiku.
Ndërkaq, z. Arban Abrashi, Ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, tha se ndihet shumë i lumtur që ajo çka është punuar për një vit, sot po konkretizohet.
“Kjo iniciativë ka filluar si iniciativë vullnetare mes nesh dhe z. Petrit Beqiri, për të gjetur forma të ofrimit të punësimit legal të të rinjve kosovarë. Është lobuar nga Qeveria që të ju ofrohet mundësi qytetarët tanë të shkojnë në Gjermani në mënyrë të barabarte si të gjithë qytetarët tjerë të Evropës dhe jo si azilantë dhe këta profesionistë të kthehen në Kosovë me përvojë të cilën nuk mund ta marrin tek ne për shkak të sistemit. Takimi me Petritin ka qenë frymëzim për mua që të angazhohemi si Qeveri e të fillojmë procesin e punësimit legal. Dhe për fat të mirë, në fund të këtij viti u njoftuam nga qeveria gjermane se kosovarët mund të punojnë si profesionistë në Gjermani”, theksoi z. Abrashi.
Ministri i Punës, Arban Abrashi shtoi se ndihet krenar që Kosova, përmes këtij programi dhe institucionit qeap-heimerer, përmes shkollimit të veçantë, ka mundësi të tregojë se Kosova ka kapacitete.
“Ky Program është dëshmia më e mirë e konkretizimit të punës sonë të përbashkët dhe është një imazh i ri për Kosovën si dhe një mundësi e jashtëzakonshme”, potencoi ministri Abrashi, duke inkurajuar të rinjtë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të përfitojnë nga studimet cilësore në qeap-heimerer dhe “përvoja që ju ofrohet në Gjermani, të kthehen në Kosovë me ide kreative që ta ndihmojnë Kosovën”.
Kurse Drejtori i qeap-heimerer, z.Petrit Beqiri, tha se programet e tilla janë mundësi reale e shtetit që të rinjtë e Kosovës të bëhen pjesë e bashkësisë evropiane.
“Kosova ka njerëz të aftë dhe të mjaftueshëm për të punuar në tregun e huaj. Dhe për fat të mirë, mundësitë për të dërguar profesionistë shëndetësorë jashtë Kosovës janë reale. Ne, përmes këtij programi do të mundësojmë që të rinjtë profesionistë të Kosovës të jenë të barabartë me profesionistët ndërkombëtarë”, u shpreh z. Beqiri.
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nait Hasani, tha se qëllimi i institucioneve të Kosovës është që të punojnë në përgatitje të dokumentacioneve dhe legjislacioneve në mënyrë që profesionistët dhe studentët ta kenë më të lehtë të ndjekin procedurat për në Gjermani.
“Qeveria është e interesuar që këtë program ta mbështes me të gjitha ligjet e mundshme dhe të japim mundësi që ne t’i nderojmë ata dhe vendin tonë me programe të cilësisë dhe karrierës”, deklaroi para të pranishmëve, deputeti Hasani.
Interesimi për punë ishte i jashtëzakonshëm nga studentët dhe profesionistët shëndetësorë. Pjesëmarrësit u ndanë shumë të kënaqur me punën që është bërë nga institucioni i arsimit të lartë “qeap-heimerer” dhe bashkëpunimin e arritur me WBS Expert Solutions nga Gjermania, i cili bashkëpunim do të kontribuojë sado pak në zbutjen e papunësisë në vend.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img