Site icon PrishtinaPress

​25 serbë u paguan rreth 130 mijë euro nga MINT pa shkuar në punë

Mbi 127 mijë euro ka shpenzuar vitin e kaluar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pagesa të 25 serbëve, të cilët nuk shkuan asnjë ditë në punë.

Këta punonjës janë të angazhuar në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, për integrimin e personit “Mbrojtja Civile”, e cila ditë më parë u shpall organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës. Kështu thuhet në raportin për pasqyrat vjetore financiare të MINT të vitit 2022, e cila u shqyrtua në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Me debate të ashpra u karakterizua mbledhja e këtij komisione, ku u shqyrtuan dy raporte të auditorit. Deputetë të pushtetit e opozitës janë përplasur për të gjeturat e këtyre raporteve, për të cilat ka raportuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi raportin e auditimit të performancës “Mbështetje e ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme MINT/KIESA”.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se kanë gjetur një sistem, i cili nuk kishte politika të mirëfilltë për sektorin privat. Sipas saj, këto gjetje tregojnë se Kosova nuk ka arritur të zbërthejë potencialin e sektorit privat për t’u zhvilluar.

“Sa i përket gjetjes së zonës ekonomike, po kemi marrë edhe këtu një hap të rëndësishëm, krahas politikëbërjes për zonat ekonomike dhe draftimit të Ligjit të ri për Parqet Industriale dhe Parqet Teknologjike. Ne kemi analizuar edhe performancën e zonave ekonomike të ndërtuara deri më tani dhe për keqardhje është konkludimi që këto zona ekonomike që janë krijuar, kanë ofruar strukturë fizike për zonat e ndryshme, por nuk kanë sjellur një vlerë të shtuar ose shërbim për investitorët. Pra, nuk kanë qenë tërheqëse për investitorët, impakti ka qenë shumë i ultë sa i përket tërheqjes së investimeve për këto zona. Prandaj, në analizën nga kolegët tonë nga Kiesa, kemi ardhur në konkludim që duhet një ligj i ri për t’u fokusuar në zona më shumë të specializuara dhe jo në zone mikse pa fokus”, tha Hajdari.

 

Hajdari tha se zona ekonomike e Drenasit ka shumë probleme me mungesë të ujit dhe kanalizimit

Më tej, ajo shtoi se nuk ka pasur njësi që të menaxhojë zonën ekonomike.

“Neve si ministri na kanë ardhur edhe faturat nga zonat e ndryshme ekonomike për t’i paguar obligimet e bizneseve që nuk i kanë paguar. Pra, nuk ka pasur administrim të mirëfilltë, nuk ka pasur menaxhim dhe KIESA në këtë rast është detyruar nga fondet e saj të mallrave dhe shërbimeve, bashkë me Ministrinë e Financave t’i paguajë faturat e mbledhura deri në 100 mijë euro për ujë në Drenas, vetëm që t’i lehtësojë bizneset që të kenë ujë dhe kjo është një keqardhje për ne sepse nuk ka pasur menaxhim. Por, me ligjin e ri e shohim vlerë të shtuar edhe në bashkëpunimin e afërt me komunën, angazhimin e ministrisë qoftë në thirrjet publike për zonat ekonomike, nuk synojmë të kemi tri zona në një komunë”, shtoi Hajdari.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi tha se as ministrja nuk duhet të ndjehet krenare me punën dhe gjetjet nga raporti.

“Ka të gjetura të cilat ministren e bëjnë mos me u ndje krenare për punën që po e bën… Nuk kemi nevojë për ligjërata sepse goxha shumë na ligjërove, nuk pamë asnjë rezultat që the e kemi bërë këtë punë edhe me u përgëzua për punën që e bën. Unë të kisha kërkua që nëse nuk e bën këtë raport vitin e ardhshëm me qenë pak më i mirë, kisha kërkuar që të japësh dorëheqje moralisht edhe me shku në shtëpi”, i tha Bytyqi, ministres Hajdari.

Në shqyrtimin e këtij raporti, janë përplasur deputetja Bytyqi me deputeten e LVV-së, Mirlinda Tishukaj Sadriu.

Bytyqi-Tishukaj: Duhesh me ndal pak vetën
(Video)
“Në politikë është mirë të bësh politikë kur ke bazë. Ky është raport i performancës. Regjistrimi i 10 mijë e 796 bizneseve të reja gjatë vitit 2022, besoj është sukses. Të gjitha ato strategji që i ka hartuar ministrja, e tregon seriozitetin e shtuar për këtë çështje. Çështja tjetër, besoj që nuk jeni kundër, mos më pengo, mbështetja për 139 biznese prodhuese 9,8 milionë. Ju duhet të gëzoni që 30 për qind të tyre janë gra, vajza që kanë përfituar. Veç pak, veç pak, ju e thatë atë çka patët.

Bytyqi: Duhesh me ndal pak vetën.

Tishukaj-Sadriu: Jo nuk jam t’u e ndal, por po flas me shifra, e pse nuk të pëlqen ty shifrat, është diçka tjetër”, kanë thënë ato.

Pas këtij debati, deputetja e opozitës ka lëshuar sallën ku po mbahej mbledhja e këtij komisioni.

Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar edhe raporti i auditimit për pasqyrat financiare të MINT, për vitin e kaluar. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti në shpalosjen e të gjeturave, tha se vitin e kaluar janë paguar 25 serbë në vlerë prej mbi 127 mijë euro edhe pse nuk kanë shkuar në punë.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë gjatë vitit 2022 kishte realizuar pagesa në vlerë prej 127 mijë e 298 euro për 25 punonjës të angazhuar në marrëveshjen e Brukselit, të cilët nuk u evidentuan për vijueshmëri në punë dhe nuk zhvillojnë ndonjë aktivitet në ministri. Me vendimin numër 6/39 të datës 22 korrik 2016, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionin e dakorduar të marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për integrimin e personelit, të ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”. Përmes këtij vendimi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në atë kohë kishte angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës”, theksoi Hoti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka kritikuar ministren Hajdari për mungesën e transparencës dhe mos auditimin për rezervat shtetërore. Ajo tha se Qalaj po shpif, për çka ka ndërhyrë edhe deputetja, Mirlinda Tishukaj Sadiku.

Hajdari: Nuk mundem unë sot para shtetit tim ta thej ligjin për rezervën shtetërore dhe të jap ty llogari për planin strategjik, për planin e veprimit, për vendodhjen, për rezervën, për shumën, për vëllimin. Andaj rreptësishtë e kam të ndaluar nga ligji që të elaborojë me ty, për këto shpifje që mi drejtoni mua. Është gjykata, është prokuroria, drejtohuni atje për mua. Pikë.

Qalaj: Derisa ministre nuk je transparente, nuk ke drejtë të më thuash shpifje. Ligji nuk do të thotë që nuk ke bërë keqpërdorime aty. Dhe nuk ke të drejtë të më thuash shpifës, kur nuk i jep informata publikut, atëherë nuk ke të drejtë të më thuash shpifës.

Tishukaj-Sadriu: Ju keni bërë edhe debat parlamentar…

Qalaj: Nuk jam bre duke folur me ty, mshele”, thanë ata.

Deputetit të PDK-së iu kërkua që të kërkojë falje nga deputetët e shumicës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është pajtuar pjesërisht me këtë raport të auditimit për vitin 2022

Exit mobile version