Site icon PrishtinaPress

25 milionë euro, konsumatorëve të cenueshëm do t’u subvencionohet rryma me paratë e BE’së

Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike, i cili u prezantua të martën në qeveri, do t’i ndihmojë familjet e cenueshme duke ua subvencionuar faturat e energjisë.

Ky projekt do të financohet nga Bashkimi Europian përmes një pakoje financiare.

Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar për këtë ndihmë edhe përmes një postimi në Facebook.

“Lajm i mirë për Kosovën! Jemi të lumtur të ju njoftojmë nisjen e një mase të re të Pakos për mbështetje të energjisë. Programi i financuar nga BE-ja, me vlerë 25 milionë euro, do të mbështesë shtëpitë në nevojë në faturat e tyre të energjisë elektrike përgjatë stinës së dimrit. Së bashku, po e çojmë Kosovën drejt një të ardhmeje të qëndrueshme me energji të mirë!”.

Qeveria sot lansoi Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm në Energji Elektrike, program ky i cili fokus të veçantë do të ketë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

Ky program është i dizajnuar për familjet kosovare me të ardhura mesatare nën 150 euro për anëtar, ndërsa subvencionimi do të bëhet përmes formës së aplikimit në Ministrinë e Financave.

Kryeministri Albin Kurti tha se programi, i cili do të zgjasë një vjet, do të jetë shumë i rëndësishëm për këto familje. Fokus të veçantë në këtë program, siç tha ai, do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuar, prindërit vetë-ushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

“Sot jemi mbledhur këtu që ta prezantojmë edhe një program të rëndësishëm, atë të Mbrojtjes së Konsumatorëve të Cenueshëm. Programi që po e prezantojmë sot, që do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka në fokus subvencionim e faturës së energjisë elektrike për familjet të cilat kualifikohen si konsumatorë të cenueshëm të energjisë elektrike”.

Exit mobile version