Tendenca për zhvendosjen e përgjegjësisë për krime të luftës nga nivelet e larta drejtuese të shtetit serb te njësitë paramilitare dhe kriminelët ordinerë, ka qenë evidente edhe në rastet e aktakuzave për krimet e bëra në rastin e masakrave të Qyshkut, Zahaqit, Pavjanit dhe Lubeniqit në afërsi të Pejës, që sipas prokurorisë serbe, ishin kryer nga anëtarë të formacionit paraushtarak “Çakallët”. Mohimi sistematik i krimeve të luftës dhe më pas tentimi për fshehjen e gjurmëve të krimit mbetet një nga synimet strategjike të të gjitha qeverive në Beograd.
Kultura e mosndëshkimit
Opinioni në Serbi edhe më tutje ka perceptim mjaft negativ ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë, si institucion i njëanshëm, i cili gati është i orientuar kundër serbëve. Ndërsa, ndjekja e përgjegjësve për krimet e bëra është përqendruar në nivel të ulët. Zakonisht përgjegjësia u hidhet kryesisht strukturave kriminale ose njësiteve paramilitare, duke evituar bartjen e përgjegjësisë të strukturave të larta shtetërore. Edhe ashtu qëllimi i këtyre proceseve ka pasur për synim vetëm krijimin e përshtypjes tek opinioni publik ndërkombëtar se Serbia po ndjek dhe ndëshkon përgjegjësit e krimeve të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë dhe njëkohësisht, tentativa për ta fshehur përgjegjësinë shtetërore për krimet e tilla në Kosovë.
Tendenca për zhvendosjen e përgjegjësisë për krime të luftës nga nivelet e larta drejtuese të shtetit serb te njësitë paramilitare dhe kriminelët ordinerë ka qenë evidente edhe në rastet e aktakuzave për krimet e bëra në rastin e masakrave të Qyshkut, Zahaqit, Pavjanit dhe Lubeniqit në afërsi të Pejës, që sipas Prokurorisë serbe, ishin kryer nga anëtarë të formacionit paraushtarak “Çakallët”. Mohimi sistematik i krimeve të luftës dhe më pas tentimi për fshehjen e gjurmëve të krimit mbetet një nga synimet strategjike të të gjitha qeverive në Beograd. Praktika të tilla ishin përdorur më parë edhe në luftën e Kroacisë dhe të Bosnjës. Një rast tipi i fshehjes së krimit, kufomave të civilëve të ekzekutuar është ai i masakrës së Suharekës (mars 1999). Pas vrasjes, trupat e viktimave u transportuan në Serbi dhe u varrosën në varreza masive pranë një objekti policie në Batajnicë.
Lidhur me kulturën e mosndëshkimit, Serbia është akuzuar së fundmi nga Komisioni Evropian, i cili konstaton se në këtë vend ballkanik ka një histori të dobët në ndjekjet penale të krimeve të luftës dhe një dështim në ndjekjen penale të krerëve dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë. Shumica e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria Serbe për Krimet e Luftës viteve të kaluara, duke përfshirë akuzat kundër oficerëve të Ushtrisë Serbe, ishin jashtëzakonisht joefikase dhe për më tepër, nuk mund të pritet të marrë fund kjo kulturë e mosndëshkimit. Është dëshmuar se Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi nuk ka pasur forcën për t’u përballur me strukturat që fshihnin kriminelët e luftës, jo vetëm ata që kërkoheshin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, por edhe ata që duhet të ishin ndjekur penalisht nga gjykatat vendore në Serbi. Si rrjedhojë, numri i ndjekjeve penale të krimeve të luftës mbetet jashtëzakonisht i ulët nga viti në vit.
Përpjekjet serbe për groposjen e së vërtetës
Në përpjekjet serbe për ta groposur të vërtetën, pa dyshim rasti më domethënës është mohimi i masakrës së Reçakut (1999), e cila do të shënonte kthesën vendimtare të angazhimit ndërkombëtar në luftën e Kosovës. Për mohimin e kësaj masakre, Serbia do të përdorte edhe e aleatin e saj tradicional, Rusinë, përmes së cilës dy vjet më parë provoi të hapte një debat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me qëllim të kontestimit të kësaj masakre edhe në nivel të institucionit më të lartë ndërkombëtar, edhe pse të vërtetën për ekzekutimin e 45 civilëve shqiptarë e kishte vulosur i ekipit të patologes finlandeze Helena Ranta. Ky pozicion serb tregon një vazhdimësi të diskursit të regjimit të Millosheviqit, i cili me çdo mjet pati penguar asokohe hetimin e kësaj masakre dhe të vrasjeve, një çështje për të cilën mandat kishte kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Louise Arbour dhe ekipi i saj.
Propaganda me media, “shkencë” e filma
Në këtë linjë, Beogradi ka vazhduar të ndërtojë narracionin e vet të njëanshëm për luftën e Kosovës, përmes shtypit, publikimeve të ndryshme publicistike e “shkencore” dhe prodhimit të filmave propagandistikë. Ministria e Punëve të Brendshme e udhëhequr nga nacionalisti ekstrem, Aleksandër Vulin, një mbështetës i kahershëm i ideologjisë së Millosheviqit, në bashkëpunim me Radio Televizionin Publik të Serbisë (RTS), vitin e kaluar pati lajmëruar për një seri filmash për ta paraqitur luftën në Kosovë. “Është obligim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë që të ruajë të vërtetën për kohën e rebelimit të armatosur shqiptar dhe agresionit të NATO-s”, ka thënë Vulin. Kjo mësymje për përmbysjen e realitetit si duket, mbështetet në maksimën e njohur të akademikut Dobrica Qosiq, i cili me mburrje e kishte pohuar: “gënjeshtra është interes shtetëror serb”. Sipas kësaj maksime, krejt çfarë ka bërë shteti serb: ushtria, policia dhe paramilitarët si dhe civilët e armatosur serbë, ishte e ligjshme dhe në interes të mbrojtjes së Serbisë. Në funksion të kësaj, është ndërtuar edhe një hipnozë dhe viktimizim– shfajësim për krimet rrëqethëse, e njohur edhe në vitet ‘80 përmes Kishës Ortodokse dhe Memorandumit të Akademisë së Shkencave të Serbisë, i cili, sipas konceptimit të vetëviktimizimit, akuzonte shqiptarët për gjenocid biologjik (lindshmëria, si një aspekt thelbësor për shqiptarizimin e Kosovës) ndaj serbëve në Kosovë.
Gjykimet për Kosovën: Millosheviq, Millutinoviq, Shainoviq, Llazareviq…
Spastrimi etnik i Kosovës nga forcat serbe u ndoq në tri gjykime të ndara, por të ndërlidhura të Tribunalit të Hagës, i cili mbështetej në njërin nga parimet thelbësore të së drejtës ndërkombëtare për t’i gjykuar krimet të krimit: “shkeljet e rënda” të Konventës së Gjenevës të vitit 1949 (neni 2), shkeljet e ligjeve e zakoneve të luftës (neni 3), gjenocid (neni 4), dhe krime kundër njerëzimit (neni 5). Këto janë krimet më të rënda që i njeh ligji ndërkombëtar. Proceset gjyqësore të cilat do të zhvilloheshin në Tribunalin e Hagës kundër zyrtarëve të lartë politikë dhe shtetërorë serbë për krimet e bëra në Kosovës na japin një pasqyrë të qartë për planet dhe qëllimet e tyre në luftën e Kosovës. Në të njëjtën kohë, këto procese gjyqësore kishin dëshmuar nivelin e lartë të sinergjisë me procesin kundër Milloshevqit. Vrasjet masive dhe spastrimi etnik i shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe u ndoqën nga tri gjykime të ndara, por të ndërlidhura të Tribunalit të Hagës. I pari dhe më i njohuri ishte rasti i Prokurorisë kundër Sllobodan Milosheviqit, që u zhvillua ndërmjet viteve 2002-2006. Gjykimi i Millosheviqit, sado që ishte i rëndësishëm në historinë e së drejtës ndërkombëtare, nuk përfundoi kurrë. Ai vdiq para se të mbyllej rasti. Trupi gjykues e komprometoi pa dashur drejtësinë dhe, për rrjedhojë, i zhgënjeu viktimat.
Millosheviqi ishte përballur me akuza në tri aktakuza të veçanta – për krimet në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë – përfshirë akuzat për shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës, krime kundër njerëzimit, shkelje të rregullave dhe zakoneve të luftës dhe gjenocid. Aktakuza e parë ndaj tij ishte ngritur nga Kryeprokurorja Louise Arbor, më 24 maj 1999, për krimet e kryera në Kosovë nga janari i atij viti gjer në datën e aktakuzës.
Rasti i dytë qe Prokuroria kundër Milan Millutonoviq, Nikolla Shainoviqit, Dragoljub Ojdaniqit, Nebojsha Pavkoviqit, Vladimir Llazareviq, Sreten Lukiq, i njohur si rasti “Kosova 6”. Në këtë proces ndiqeshin pjesëtarët e udhëheqjes së lartë të Serbisë për pjesëmarrje në atë që e drejta ndërkombëtare penale i referohet si “veprim i përbashkët kriminal” kundër shqiptarëve të Kosovës.
Rasti i tretë i gjykimit për spastrim etnik në Kosovë ishte Prokuroria kundër Vllastimir Gjorgjeviq, i cili kishte qenë shef i policisë serbe në Serbi, duke përfshirë edhe Kosovën gjatë luftës së viteve 1999. Ai u akuzua se kishte marrë pjesë në depërtimin e 800 mijë shqiptarëve të Kosovës jashtë Kosovës. Gjykimi vërtetonte se Gjorgjeviqi ishte përgjegjës për përfshirjen dhe përkrahjen e forcave ushtarake në Kosovës dhe se forcat e Ministrisë së Brendshme të Serbisë kishin luajtur rol kyç në kryerjen e krimeve në Kosovë drejtpërdrejt ose në bashkëpunim me ushtrinë serbe.
Fundi i gjykimeve ndërkombëtare për Kosovën
Kapitulli i të gjitha gjykimeve ndërkombëtare për Kosovën në Tribunalin e Hagës shënoi fundin e tij më 27 janar 2014, pikërisht me përfundimin e shpalljen e aktgjykimit të shkallës së dytë në rastin e Gjorgjeviqit. Fundi i rasteve për Kosovën dhe mbyllja e këtij kapitulli si në histori, ashtu edhe në të drejtën ndërkombëtare, u përcoll pa ndonjë vëmendje, për më tepër pa vendosjen e drejtësisë së plotë për të gjitha krimet në Kosovë. Zgjidhje nuk mori as çështja e personave të zhdukur gjatë luftës, e për të cilat kreu i lartë shtetëror serb kishte dijeni, pasi të gjitha operacionet ishin të planifikuara paraprakisht, që përfshinë edhe strukturat e lartë komanduese në ushtri, polici. Rasti më domethënës është se ky Tribunal nuk vuri para drejtësisë ushtarakun e lartë serb Lubisha Dikoviq, për të cilin ka dëshmi se krimet në rajonin e Drenicës kishin ndodhur gjatë kohës kur në këtë zonë njësia ushtarake serbe ishte nën komandën e tij. Këtë e ka konfirmuar dokumentacioni në dispozicion për të gjithë (nga të cilët një numër i madh ishe e nënshkruar nga vetë Dikoviqi), si dhe dëshmia e tij para Tribunalit të Hagës.
Glorifikimi i kriminelëve të luftës
Po ashtu, edhe pas këtyre gjykimeve në Hagë të liderëve politikë serbë, në Serbi vazhdoi glorifikimi dhe heroizmi i kriminelëve të luftës dhe të bëmave të tyre më 1989-1999. Në vend se të shihet si një njollë e pashlyeshme e së kaluarës, elita politike promovon aktorët kryesorë të luftës në Kosovë. Është sinjikativ rasti i reagimit të Qeverisë së Beogradit në mars 2022 lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme e Kosovës për dënimin e Zoran Gjokiq me 12 vjet burg për kryerjen e krimeve të luftës në qytetin e Pejës në vitin 1999. Dihet tashmë që Beogradi vazhdon t’i trajtojë kriminelët e luftës si heronj, duke u dekoruar dhe bërë model për gjeneratat e reja. Shumicën e tyre i ka rehabilituar dhe i ka riemëruar në pozita të larta drejtuese, ndërkohë që NATO-ja shihet si agresore. Në mars 2021, të dënuarit e Gjykatës së Hagës, Nikola Shainoviq dhe Vlladimir Llazareviq u shfaqën në programin televiziv të Radio Televizionit të Serbisë për të shënuar përvjetorin e bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, duke pretenduar se ata nuk ishin përgjegjës për krime lufte kundër civilëve shqiptarë të Kosovës, pavarësisht dënimeve të tyre.
Konvergjenca e Carla del Pontes me Beogradin
Geoffrey Nice, ish-prokuror në gjyqin e Millosheviqit në Hagë, pretendon se Carla Del Ponte bëri një marrëveshje në maj 2003 me ministrin e atëhershëm të Jashtëm serb, Goran Svilanoviq. Nice akuzoi Del Ponten se bëri marrëveshjen me Beogradin pa u konsultuar as me të, as me Prokurorinë e Hagës.
Sipas Nevenka Tromp autore e librit “Prosecuting Slobodan Milošević: The Unfinished Trial” dhe ish-anëtare e Ekipit Kërkimor për Çështje të Udhëheqjes në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), në kohën kur Prokuroria e Hagës po i kërkonte pa kushte dorëzimin e dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes të Serbisë, të cilat do të shërbenin si prova të përgjegjësisë individuale dhe shtetërore, kryeprokurorja e TPNJ-së, Carla del Ponte pranoi që autoritetet e Beogradit të mos dorëzonin një pjesë të dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes në mënyrë që ato të mos mund të përdoreshin në padinë për gjenocid të depozituar nga Bosnja dhe Hercegovina kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)./ KOHA