2.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

24-vjetori i Betejës së Koshares – krejt çfarë thanë presidentja e kryeministri dhe krerët e opozitës

Sot është shënuar 24 vjetori i Betejës së Koshares, e cila ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Krerët e shtetit si dhe kryetarët e partive opozitare kanë kujtuar 24-vjetorin e Betejës së Koshares, duke e cilësuar si një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën tonë për liri.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në 24-vjetorin e betejës së Koshares tha se me respekt kujton heronjtë e kësaj beteje.

Osmani tha se Kosharja dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim.

“Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive”, tha Osmani.

Ajo theksoi se pjesë e betejës ishin nga thuajse të gjitha trevat shqiptare.

“Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet”, theksoi ajo.

“I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri”, shtoi Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Beteja e Koshares është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën tonë për liri.

Kurti ka shkruar se për dy muaj, nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, mijëra ushtarë të UÇK-së do të përballeshin në luftime të ashpra me trupat serbe, çka do të rezultonte me shumë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur nga të dyja palët.

“Në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese. Atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë, si dhe e cila me luftën e saj të drejtë për liri, fitoi edhe përkrahjen e vullnetarëve të huaj në këtë rast, por mbi të gjitha, të aleancës së NATO-s, që përshpejtoi çlirimin e plotë të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka thënë se Beteja e Koshares i dha fund ndarjes së kombit shqiptar.

Krasniqi tha se kjo betejë ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës.

Ai theksoi se Kosharja, është një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Përherë mirënjohës për veprën e dëshmorëve dhe veteranëve të Betejës së Koshares”, tha Krasniqi.

Kurse kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku në 24 vjetorin e betejës së Koshares tha se kjo betejë ishte triumf ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kosharja sot na qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Na qëndron si shenjë rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se sot nderojmë të rënët në altarin e lirisë: Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin, e shumë të tjerë.

“Kosharja, vendi i fundit i tyre, është themel i lirisë sonë. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në rrugëtimin tonë drejt lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Nderojmë të shkuarën tonë të lavdishme e të dhimbshme”, theksoi ai.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar heronjtë e kombit Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe dëshmorët tjerë në 24-vjetorin e Betejës së Koshares.

Haradinaj ka thënë se kjo betejë është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroike e UÇK-së.
“Beteja e Koshares, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se kjo betejë i ndërroi rrjedhën historisë dhe i dha mesazh të qartë armikut se shqiptarët asnjëherë nuk e pranojnë robërinë.
“Në 24-vjetorin e saj, i kujtojmë me respektin më të lartë heronjtë; Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe dëshmorët e tjerë, që me guximin dhe gjakun e tyre shënuan njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës të luftës sonë për liri. Thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, ndërroi rrjedhën historisë dhe i dha mesazh të qartë armikut se shqiptarët asnjëherë nuk e pranojnë robërinë”.

“Përgjithmonë mirënjohës kontributit të luftëtarëve të lirisë dhe të përulur para sakrificës së dëshmorëve të Kombit”, ka përfunduar Haradinaj.

Beteja e Koshares 9 prill 1999

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit, por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që kishte shënuar një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht kishte mundësuar furnizimin e luftës me armatim dhe municion.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo kishte pamundësuar kontrollin e forcave serbe mbi territorin që kishte ndarë në mes një komb të vetëm, shuar ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që kishte pasur ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë ishte bërë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që do t’i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, kishte bërë që të shembej muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img