1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

24 vjet pas krimit me 106 të vrarë kanë mbetur vetëm edhe dy dëshmitarë

Dy nga 13 të mbijetuarit e Masakrës së Pastasellës janë ende gjallë, e vetëm njëri është ende i aftë me shëndet të rrëfejë për tmerrin e 31 marsit. Në Pastasellë janë 100 varre me emra e mbiemra, kurse në një janë varrosur mbetjet mortore të gjashtë personave të vrarë e më pas të djegur. Të mbijetuarit thonë se nuk janë marrë në pyetje asnjëherë nga organet e hetuesisë

Rrëfimin e 13 të mbijetuarve të Masakrës së Pastasellës, organet e hetuesisë nuk e morën kurrë. Nga 11 prej tyre nuk do të mund ta marrë më, pasi kanë vdekur ndërkohë.

Dhe nga dy të mbijetuarit e masakrës ku u vranë 106 meshkuj, sot vetëm njëri është në gjendje të mirë shëndetësore të kujtojë tmerrin e 31 marsit 1999.

Tahir Limani pati fatin dhe nuk e kapi asnjë nga plumbat e paramilitarëve serbë. I rreshtuar për pushkatim skaj një përroi në fund të luginës së fshatit, ai është një prej 13 të mbijetuarve.

80-vjeçari i ka të freskëta kujtimet e 24 vjetëve më parë.

“Gratë i kanë nisur për Shqipëri. Kur i kanë dërguar të gjitha atje, pastaj kanë filluar nga 30 na kanë ndarë në 4 grupe. Ashtu që 106 janë të vrarë këtu”, ka rrëfyer Limani.

Pasi kufomat ishin varrosur, forcat serbe në tentim për të fshehur krimin, i kishin zhvarrosur trupat dhe i kishin larguan nga aty. Disa janë gjetur në Xërxë, disa në qytetin e Rahovecit e të tjera në Suharekë.

Tash janë të rivarrosur në Pastasellë, në Kompleksin e të Rënëve të Luftës në këtë fshat.

“Prej 15 deri më 17 prill i kanë nxjerrë kufomat me njëfarë traktori me lugë dhe i kanë dërguar në drejtim të panjohur”, ka shtuar Tahir Limani.

Para masakrës, Pastasella ishte parë si vend pak më i sigurt. Aty kishin kërkuar strehim banorë të fshatrave Gremnik, Senoc, Guri i Kuq, Zatriq, Polluzhë e Koznik.

Sot në këtë fshat janë 100 varre me emra e mbiemra, kurse në një janë varrosur mbetjet mortore të gjashtë prej të masakruarve. Trupat e tyre janë djegur dhe ishte e pamundur të bëhej identifikimi i saktë.

Nurie Merlaku nga Gremniku i Klinës e ka burrin, Osmanin, të varrosur në Pastasellë, e djali Armendi rezulton i zhdukur nga ajo ditë.

Ajo ka merakun se mbetjet mortore të djalit të saj mund të jenë në varrin masiv pa emra.

“Kur jemi kthyer pas luftës, pas 4 vjetëve eshtrat e burrit i kam gjetur, e të djalit nuk gjenden askund, aty thonë se 6 persona i kanë futur në dhe, të djegur, por eshtrat nuk i gjenden askund”, ka thënë Merlaku.

“E, unë sot e mora këtë pushkë dhe dola kur më thirri zëri i atdheut. Gjakun më të pastër ia dhurova atdheut, për t’i rritur lulëkuqet e Kosovës”. Kjo është një pjesë nga një hartim gjimnazi i Armend Merlakut, që si profeci u bë realitet 15 ditë pasi e shkroi.

Nëna e Armendit, Nuria, thotë se nuk e gëzon lirinë pa e pasur një varr ku ta kujtojë djalin e saj.

“Unë si nënë dhe shumë nëna të tjera, liri për ne nuk ka pa u gjetur të paktën eshtrat e tyre. Se na e dimë që janë të vrarë, por eshtrat nuk janë askund. T’ia gjej një asht, të shkoj ta përkujtoj, t’i dërgoj një lule, më duket sikur ta kem të gjallë djalin, e lirinë le ta gëzojnë të rinjtë”, ka theksuar ajo.

Behran Salihi, një tjetër i mbijetuar i masakrës tashmë është i ndjerë. Por ai e ka lënë të shkruar rrëfimin e tij për atë që ndodhi në Pastasellë.

“Ora 15:00-16:00, kanë filluar të merren me burra, prapë kanë bërë masakra, sidomos disave që ishin të rinj ua kanë prerë veshët, hundët. I kanë goditur me automat, si dhe me shkelma”, shkruan në dorëshkrimin e Behran Salihit.

Tahir Limani edhe Nurie Merlaku thonë se për ngjarjet e 31 marsit 1999 kanë dhënë deklarata e kanë rrëfyer për media disa herë, por asnjëherë nuk janë marrë në pyetje nga institucionet e hetuesisë së Kosovës lidhur me këtë ngjarje.

KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale nëse janë kryer hetime për këtë masakër, por nuk kanë kthyer përgjigjur./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img