Site icon PrishtinaPress

24 minatorë në gjendje të rëndë shëndetësore, Sindikata takohet me zyrtarë të Qeverisë

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se gjendja e minatorëve që janë në grevë, është e rënduar.

Ibrahimi ka bërë t ditur se disa prej tyre kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, teksa bëri të ditur që sot kanë zhvilluar një takim me zyrtarë qeveritarë.

“Gjendja është shumë e rënduar. Dita e pestë e grevës dhe ka 24 persona që po kërkojnë ndihmë. Jo, me kryeshefin dhe bordin s’kemi pasur kontakt, por kemi zhvilluar një takim me të deleguarit nga qeveria. Takimi me ta është zhvilluar sot. Ata veç e kanë dëgjuar zërin tonë, nuk mund të them që presim diçka”, ka thënë ai për Klanin.

Më tej, ai komentoi edhe deklaratat e pushtetit se pagat e minatorëve të Kosovës shkojnë deri në 1 mijë e 250 euro, për të cilat tha se “ato paga ne s’i kemi parë as në ëndërr”.

“Brenda krejt vitit as 2-3 persona nuk kanë mundur të marrin një rrogë të tillë, pavarësisht benificioneve shtesë dhe nuk është reale. Ne s’e kemi problemin me Qeverinë, por ne kemi kërkesa sociale”, tha ai.

Tutje, Jonuzi bëri të ditur se politikanë të ndryshëm kanë dashur t’i vizitojnë minatorët grevistë, por s’i kanë lejuar që të hyjnë pasi s’kanë dashur që grevës t’i japin konotacion politik.

Kujtojmë se kërkesat e minatorëve janë që pagat e tyre të dalin në mes datës 6 dhe 10 të çdo muaji, të shkarkohet kryeshefi i “Trepçës” dhe të ketë sigurime shëndetësore.

Ndryshe, ditë më parë minatorët e kompanisë “Trepça” kanë hyrë në grevë brenda minierës për të kërkuar pagesat mujore në kohë deri më 10 tetor për realizimin e tyre, shkarkimin e drejtorit dhe sigurimin shëndetësor për punëtorët. Ata kanë njoftuar se drejtoria nuk ka pranuar kërkesat e tyre, duke çuar në këtë masë proteste brenda minierës.

Exit mobile version