Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër arrest për presidentin rus, Vladimir Putin, të premten.
Ky vendim u mor pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria, më 22 shkurt të këtij viti, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Në deklaratën zyrtare të lëshuar nga Haga, thuhet se Putini akuzohet për krime lufte në dëbim të paligjshëm të fëmijëve si dhe transferimin e paligjshëm të tyre nga Ukraina në Rusi.
“Krimet supozohet se janë kryer në territorin e pushtuar ukrainas të paktën nga 24 shkurt 2022. Ka arsye për të besuar se Putin mban përgjegjësi penale individuale për krimet e lartpërmendura”, thuhet në deklaratë.
Dyshohet se Putini i kreu këto krime jo vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe përmes të tjerëve.
Për këtë arsye, urdhër arrest është lëshuar edhe për Komisioneren për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse, Maria Aleksenyevna Lvova-Belova.
Edhe ajo, “dyshohet se është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga zonat e pushtuara të Ukrainës, në Federatën Ruse”, bën të ditur komunikata. /Reporteri.net/.