0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

23 vjet pas luftës, invalidët e UÇK-së ende përballen me probleme

Kanë kaluar 23 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por invalidët e kësaj lufte që humbën gjymtyrët e tyre për liri, ende përballen me probleme të trajtimit me proteza të gjurit dhe shumë të tjera çështje si pasojë e mosfinancimit nga buxheti i Qeverisë.

“Invalid i luftës së UÇK-së – pjesëmarrësi i UÇK, organizmi i të cilit është dëmtuar mbi 20% për shkak të plagës, lëndimit apo sëmundjes që ka pësuar në luftë, apo si i internuar në burgjet apo kampet e armikut dhe shtetasi i huaj si veteran i UÇK–së, nga periudha 1997- 1999″.

Kështu është i definuar statusi i invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Nenin 3 paragrafin 1.7 të Ligjit Nr. 04/L-054, Për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, por që në realitet invalidët përballen ende me problemet e plagëve të shkaktuara gjatë luftës si mungesë e fondeve dhe e financimit nga Qeveria.

J.H nga qyteti i Vushtrrisë, invalid i luftës së UÇK-së, këtë problem e pati edhe 23 vjet pas luftës, ku si pasojë e mosfinancimit nga Qeveria, i është dashur të bëjë riparimin e protezës së gjurit me një pjesë të përdorur, të dhuruar nga miku i tij i luftës.

“Shpresoj që shteti ynë të këndellet dhe të kujdeset për njerëzit e tij që i dhanë gjymtyrët e trupit për liri”, ka thënë J.H, për portalin Dukagjini.

E për këtë rast e shumë të tjera, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj ka thënë se qe një kohë të gjatë nuk ka ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës për financim të invalidëve të luftës.

Shurdhaj ka deklaruar se kohëve të fundit ka pasur një takim me Aziz Bicin, këshilltarin politik të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti por që ende nuk është marrë ndonjë vendim në lidhje me situatën e tyre.

Ai ka thënë se është e vështirë që pas kaq shumë vjetëve, një invalid i luftës të mos ketë një vend ku të adresohet për plagët që i ka marrë gjatë sakrificës së tij për liri të vendit.

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj

“Në qeverisjet e kaluara, me një projekt, një donacion nga Gjermania ka qenë për invalidë të luftës, ku i kemi marrë protezat për ta, por qe një kohë të gjatë nuk kemi ndonjë gjë konkrete nga Qeveria”, ka thënë Shurdhaj.

Shurdhaj ka thënë ndër të tjera se në qeverisjen e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, ka pasur një projekt ku janë financuar disa invalidë për protezat e tyre të gjurit.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në atë kohë kishte autorizuar Klinikën e Ortopedisë për dhënien e shërbimeve të cilat i kryejnë dy klinika tjera, ajo e Pediatrisë dhe Ortoprotetikës.

Ai kishte thënë se shërbimet do t’i mbulojnë nga buxheti i shtetit, por që kjo nuk i kishte pëlqyer Shurdhajt, kryetarit të kësaj shoqate.

Ai kishte deklaruar se protezat e invalidëve gjithmonë janë bërë jashtë Kosovës, por që mbulimin e shpenzimeve e kanë bërë gjithmonë Qeveritë e Kosovës.

Sipas Shurdhajt, kjo klinikë në QKUK nuk kishte kapacitete teknike dhe specialist të kësaj fushe për të adresuar të gjitha problemet e invalidëve të luftës.

“Në qeverisjen e tanishme, kemi kërkesa nga invalidët për proteza, por është e rëndë sepse nuk kemi ku t’i dërgojmë”, ka deklaruar Shurdhaj.

Ai ka shtuar se me invalidët e luftës është dashur të merret çdoherë Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, e jo të lihen anash dhe siç thotë ai “të harruar nga shteti”.

Shurdhaj shpreson që të ketë ndonjë rregullim të kësaj situate, nga takimi me Bicin herën e fundit.

Ndërkaq, portali Dukagjini qe një kohë të gjatë është munduar që të marrë përgjigje nga Qeveria dhe këshilltari politik i Kurtit, Aziz Bici për këtë çështje, por që ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ndërsa më 20 korrik, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një propozim të ri për verifikimin e veteranëve ushtruesit të detyrës së OVL- UÇK-së, Faton Klinakut.

Në një përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thuhet se Kryeministri Albin Kurti ka propozuar që “menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare”.

Në propozimin e Kurtit, thuhet se deri sa të kryhet procesi i verifikimit, veteranët do të kenë mundësi punësimi duke u subvencionuar nga Qeveria e Kosovës për një pjesë të pagës në një periudhë të caktuar.

“Hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, kryeministri Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

Ky propozim, sipas Qeverisë së Kosovës, do të mund të rezultonte një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve.

“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit”, ka thënë Kryeziu.

Alternativë e propozimit të Kurtit, sipas Kryeziut do të jetë “zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve”.

“Alternativë ndaj këtij propozimi të Kryeministrit Kurti mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve, i cili në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

Ndërkaq, këtë propozimin nga Kurti e ka konfirmuar vet Klinaku, i cili ka thënë se do ta shqyrtojnë ditëve në vijim dhe se pas shqyrtimit si organizatë e luftës do t’i kthejnë përgjigje me shkrim kryeministrit.

Klinaku në reagimin e tij ka thënë se verifikimi i veteranëve në të kaluarën është bërë në bazë të ligjit dhe nëse ka pasur shkelje duhet të merren organet kompetente.

“Aplikimi, vlerësimi dhe verifikimi i veteranëve është bërë mbi bazë të ligjit. Për çdo shkelje të ligjit janë organet kompetente, dhe pas thirrjeve tona, ka filluar proces gjyqësor dhe lënda është në gjykatë”, ka thënë ai.

Klinaku ka theksuar se deri sa të bëhet një ligj i ri për veteranët sipas tij duhet të respektohet ligji aktual dhe veteranëve të ju rritet paga në raport me pagën minimale.

Tutje Klinaku, ka thënë se dosjet për veteranët janë në prokurori dhe si organizatë ata nuk mund të ndërhyjnë.

Ndërsa në qershor, veteranët e Kosovës kanë protestuar para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësinë me miratimin në lexim të parë të ligjit që e përjashton kategorinë e tyre nga rritja e pagës minimale.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img