Një grua është lënduar pasi është goditur nga materialet e rënda që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së Prishtinës, sot në lagjen Arbëria. Nga Klinika Emergjente kanë deklaruar se gjendja e saj është e rëndë, ndërsa tash e njëjta po i nënshtrohet një operacioni.
Siç mëson Sinjali, pacientja, e cila është motra e deputetes së VV-së, Fjolla Ujkanit, po i nënshtrohet një operacioni nga neurokirurgët në sallën emergjente.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Shpend Fazliu, zëdhënës për media në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
“Ju konfirmojmë se aktualisht, pas CT-së së dytë kontrolluese, pacientja po i nënshtrohet një operacioni nga neurokirurgët në sallën emergjente. Pas operacionit pritet të transferohet në Mjekim Intensiv Qendror për trajtim të mëtejmë!”, ka thënë Fazliu.
Incidentin te ndërtesa e komunës në Prishtinë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën ‘Nora e Hotit’, në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.
Policia ka bërë të ditur se tashmë ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Të enjten vonë, edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast, në drejtim të veprë penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.