Mosmarrëveshjet për borxhe shpeshherë shkaktojnë incidente të ndryshme, të cilat eskalojnë në përleshje e kanosje serioze dhe për pasojë nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku është arrestuar një 43-vjeçar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari e ka kanosur me vrasje një person, të cilin e ka kushtëzuar me kthimin e një shume të majme të parave, që pretendon se ia ka borxh.
Mesazhi që i dyshuari ia dërgoi viktimës, e shtyri këtë të fundit që ta njoftojë Policinë.
I njëjti ia ka kërkuar 20 mijë euro viktimës, para këto që thotë se ia ka borxh dhe pasi është takuar me të, e ka kërcënuar edhe me armë.
Si rezultat i denoncimit, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arritur ta arrestojë në flagrancë të dyshuarin.
Të njëjtat burime thonë se pas verifikimit, u zbulua se i dyshuari kërkohej në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte dënuar për veprën penale “Ngacmimi”.
I njëjti u dërgua në vuajtje të dënimit, ndërsa lidhur me rastin e kanosjes, është iniciuar hetim me urdhër të Prokurorit të Shtetit.