Site icon PrishtinaPress

20 kreditorë kërkojnë hise në ‘Llamkos’

Aktualisht Gjykata Themelore e Prishtinës është duke i shqyrtuar kërkesat e rreth 20 kreditorëve, të cilët pretendojnë se kanë hise në “Llamkos”. Kompania “Costereel” kishte vënë në hipotekë të gjitha pronat e “Lamkos”-it.

Mbi 1 milion euro vlerësohet të jenë obligimet e papaguara të kompanisë “Corestell”, e cila pati privatizuar asetet e fabrikës së llamarinës “Llamkos” të Vushtrrisë, ndaj punëtorëve të fabrikës. Por, sikurse edhe rreth 20 kreditorë që pretendojnë se kanë hise në “Llamkos”, pas inicimit të procesit të falimentimit të fabrikës, edhe rreth 430 punëtorë të fabrikës që kanë mbetur pa punë do të mund të jenë kreditorë dhe t’i bëjnë kërkesat në gjykatë për të drejtën e realizimit të pagave të mbetura, rreth 13 paga sa thonë punëtorët se nuk u janë paguar.

Virtyt Ibrahimaga, administrator i “Llamkos”-it, i caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, thotë se aktualisht gjykata është duke i shqyrtuar kërkesat e kreditorëve, rreth 20 sa janë paraqitur. “Për momentin janë rreth 20 kërkesa të kreditorëve, të cilat janë duke u shqyrtuar nga gjykata”, ka thënë shkurt ai.

I pyetur se çfarë do të bëhet me punëtorët dhe me obligimet ndaj tyre, Ibrahimaga tha se edhe punëtorët mund të jenë kreditorë dhe se edhe kërkesat e tyre do të shqyrtohen nga gjykata. Ai sqaroi se momentalisht në “Llamkos” janë vetëm punëtorët e sigurimit të cilët, siç tha Ibrahimaga, “do të paguhen me mjetet e ndërmarrjes, ndërsa në qoftë se nuk ka mjete, atëherë edhe ata hyjnë në listën e kreditorëve”. /Zëri/PrishtinaPress.eu

Exit mobile version