Site icon PrishtinaPress

18 vjet burg për kosovarin në Vjenë: Provoi ta vriste gruan me kabllo elektrike

Një familje shqiptare në Vjenë ka kaluar vite të tëra nën terror, pasi kryefamiljari ushtronte dhunë psikologjike dhe fizike ndaj gruas së tij dhe 10 fëmijëve. Që nga viti 2009, për të thuhet se ka përdorur dhunë të vazhdueshme ndaj familjes së tij.

Madje, në një moment mësohet se ai ka tentuar ta vrasë gruan me kabllo elektrike. Për shkak të këtyre akuzave, burri 42-vjeçar javën e kaluar u detyrua të dalë para Gjykatës rajonale të Vjenës.

Sipas mediave austriake, shqiptari frekuentonte rregullisht një kazino në Çeki, ndërkohë që mbyllte familjen në banesën ku jetonin. Nëse ai humbiste paratë në kazino, kthehej në shtëpi dhe gjithë hidhërimin e shndërronte duke përdorur dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve dhe duke i kërcënuar ata me jetë.

Pas shumë vjetësh dhune sistematike, nëna e fëmijëve kishte marrë guximin të raporton për gjithë atë që i ka ndodhur.

Në anën tjetër, me akuzat e ngritura ndaj tij, nuk është pajtuar 42-vjeçari, i cili para gjykatës ka deklaruar:

“”Unë nuk jam as terrorist dhe as kriminel, jam një njeri normal”, ka thënë i akuzuari në sallën e gjyqit.

Por, sipas akuzave të ngritura, raportin e të cilës e ka publikuar gazeta austriake heute.at, ka të ngjarë që gjërat ishin ndryshe.

Që kur gruaja ishte 14 vjeçe, (tashmë 37 vjeçe) ishte detyruar të martohej me të akuzuarin.

Tmerri filloi menjëherë pas dasmës: burri agresiv e rrahu dhe abuzoi vazhdimisht me gruan e tij. Gruaja duhej të duronte kështu për vite me radhë. Shpeshherë vuajtje dhe keqtrajtim kanë pësuar edhe fëmijët e tij.

“Në vitin 2009 u bë edhe më keq: burri mendoi për një metodë të re, veçanërisht mizore për të torturuar gruan e tij. Për ta bërë këtë, ai hoqi një kabllo nga një aparat elektrik në banesë dhe e vendosi në trupin e lagur të gruas së tij. Ajo u rrëzua dhe ishte në gjendje të vështirë jetësore”, shpjegohet në raport, përcjell albinfo.at.

Goditja elektrike do të kishte mundur të jetë fatale sikurse në mënyrë automatike të mos ndërpritej rryma. Kështu e ka përshkruar rastin një ekspert i kësaj çështjeje.

Gruas iu deshën vite të gjente guximin dhe të linte burrin e saj abuziv. Në vitin 2020, ajo iku në një strehë për gratë bashkë me fëmijët e saj. Por, vetëm në vitin 2021, gruaja e cila po kalonte një periudhë traumatike, ishte në gjendje të raportonte për përvojat e saj të tmerrshme të dhunës.

Mirëpo, avokati i të pandehurit e hodhi poshtë akuzën për goditje elektrike. “Historia me kabllon elektrike është fiktive”, ka thënë ai.

Ndërkohë, gjykata duket se i ka vlerësuar gjërat më ndryshe. Ajo e dënoi shqiptarin me 18 vjet burgim për tentativë vrasjeje dhe dhunë të vazhdueshme për vite me radhë.

Megjithatë, vendimi nuk është ende ligjërisht i detyrueshëm.

Exit mobile version