Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku sot ka bërë homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova për të nderuar figurën e tij, 17 vjet pas vdekjes së tij.
Abdixhiku në një prononcim për media tha se presidenti Ibrahim Rugova ishte ati themeltar i shtetit të Kosovës dhe prijësi ikonik i lëvizjes më të madhe nacionale të shqiptarëve.
“Sot më 21 janar, shënojmë dhe nderojmë presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Tani e 17 vite s’është mes nesh, por gjurmët e tij dhe trashëgimia e tij politike vazhdon të jetë qenësore dhe për ne dhe qytetarët e Republikën e Kosovës. Ibrahim Rugova ishte ati themeltar i shtetit të Kosovës dhe prijësi ikonik i Lëvizjes më të madhe nacionale të shqiptarëve. Ishte shqiptari më i madh i historisë së popullit të Kosovës, dhe përpjekja e tij angazhimi për liri dhe pavarësi ishte suksesi më i madh historik i shqiptarëve dhe vet popullit të Kosovës”, ka thënë ai.
Po ashtu i pari i LDK-së u shpreh se sot e ndjejnë mungesën e urtësisë së tij, politikës dhe vizionit të tij për një Kosovë demokratike.
“Për një Kosovë që është që është e ndërlidhur ngushtë me rrugëtimin euroatlantik në përpjekjen e saj kolektive drejt së ardhmes. Lavdi jetës dhe veprës së presidentit Rugova”, tha ndër të tjera Abdixhiku.