12.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

15 vjet shtet, rruga deri te pavarësia dhe sfidat e mëdha të Kosovës

Si sot 15 vjet më parë Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.

15 vjet pas pavarësimit Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha, të jashtme dhe të brendshme si papunësia, varfëria, jo stabiliteti energjetik, pagat e vogla, ikje  të rinjve e profesionistëve nga vendi.

Ndër sfidat e jashtme Kosova vazhdon të përballet me diplomaci të brishtë e të shkatërruar që nga ardhja në pushtet e Qeverisë së Albin Kurtit, mungesë e njohjeve të reja, problemet me dialogun e si pasojë edhe ftohje e marrëdhënieve me partnerin më të madh strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jashtë territorit të saj, Kosova vazhdon ende të të përballet me Serbinë, liderët e së cilës ende e konsiderojnë atë si “territor të tyrin” dhe si vend ku ende kanë “trashëgimi”; si dhe me rrugën e saj në anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe organizata të tjera evropiane.

Kosova do të shënojë përvjetorin e 15-të të pavarësisë me një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Në 15 vjetorin e shpalljes së shtetit, duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, prapa grilave gjenden edhe njerëzit që e shpallën shtetin e pavarur dhe luftuan për çlirimin e saj. Në Hagë duke pritur nisjen e procesit gjyqësor gjenden ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, shkruan Demokracia.com.

Si erdhi deri te pavarësia e Kosovës?

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Jugosllave.  Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitin 1989. Pas nisjes shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë.

Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78-ditor nga ajri të aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s. Lufta la të vdekur rreth 13 mijë kosovarë, nga të cilët mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë e tyre, shkruan Demokracia.com.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan me intervale që nga periudha e luftës në Kosovë.

Në vitin 2005, ish sekretari i OKB-së, Kofi Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.

Në linjë me Planin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Serbia e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Turqinë, e njohën menjëherë. Sot, 117 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërkaq, me bllokimin e Rusisë, e cila është mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk është bërë anëtare e OKB-së.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

Edhe Qeveria e Albin Kurtit, njërit prej kundërshtuesve më të mëdhenj po e vazhdon dialogun me Serbinë. Kurti i cili kur erdhi në pushtet thoshte se nuk e ka prioritet këtë çështje, e bëri prioritetin e vetëm.

Edhe pas shumë takimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Kosova po vazhdon të mos ecën përpara dhe të përballet me Serbinë, sidomos në pjesën veriore të vendit, ku katër komunat atje aktualisht nuk kanë organet e tyre qeverisëse.

Tashmë është e qartë se ekziston një angazhim i Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për përshpejtimin e dinamikës për të përfunduar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por mbetet pikëpyetje nëse gjatë vitit 2023 ky dialog do të përfundojë.

Në një artikull të publikuar nga e përditshmja amerikane, Politico, më 29 dhjetor 2022, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në konteksti e përmendjes së muajit mars 2023, si afat për arritjen e një marrëveshjeje, ka thënë se afati i marsit ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së një marrëveshjeje dhe se koha aktuale është ideale për një zgjidhje të çështjes Kosovë-Serbi.
Lidhur me këtë, ai ka theksuar vëmendjen e udhëheqjes së SHBA-së dhe BE-së, duke thënë se “kjo është dritarja e vërtetë e mundësive, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024”.

Për zgjidhjen e kontesteve mes Kosovës e Serbisë, tashmë diplomatë evropian kanë propozuar edhe një plan, që njihet si Plani franko-gjerman. Kurti së fundmi e ka pranuar këtë plan, draftin final të të cilin ende nuk e ka parë pothuajse askush dhe që thuhet s’e nuk e përmban njohjen reciproke e as anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Propozimi i BE-së, i njohur edhe si plani franko-gjerman, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Propozimi është mbështetur edhe nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së. Pritjet janë që negociatat të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë pozicione krejtësisht të skajshme.

Kosova kërkon njohje të ndërsjellë, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi, pa e specifikuar se çfarë saktë do të thotë ai kompromis.

Në Kosovë, shtet me 1 milion e 780 mijë banorë, shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, ndërsa jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë turqit, boshnjakët, serbët, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img