Sipas një dokument identifikimi të njohur nga zyrtarët indonezianë,  Mbah Gotho ka lindur më 31 dhjetor 1870 dhe është plot 145 vjeç.
Të 10 vëllezërit dhe motrat e tij kanë vdekur, po ashtu edhe katër gratë, ku e fundit ndërroi jetë në vitin 1988. Të gjithë fëmijët e tij gjithashtu kanë vdekur dhe tani ai jeton me nipërit, stërnipërit, stër-stërnipërit.
Pavarësisht moshës së madhe, Mbah arrin të lëvizë dhe të ecë vetë. Nëse me të vërtetë ka lindur në këtë datë, ai mund të konsiderohet si personi më i vjetër i verifikuar në botë, një titull që deri tani i përkiste një gruaje franceze, e cila jetoi për 122 vjet.
I intervistuar nga një media lokale, 145-vjeçari u shpreh: “Gjithçka që dua tani është që të vdes”.

“Ai ha çdo gjë dhe nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë”, tregon një pjesëtar i familje. Ndërsa një nip i tij tregon se gjyshi është përgatitur për vdekjen e tij që në moshën 122 vjeç, por si duket nuk po vjen asnjëherë.
“Varri është bërë që në vitin 1992, apo 24 vjet më parë”, tregon ai.

Stafi i zyrës së regjistrimit të popullsisë në Indonezi ka konfirmuar datën e lindjes së Mbah Gotho, që në kartë identiteti është 31 dhjetor 1870.