Pas afro 14 viteve zvarritje të rastit, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar të hënën me katër vite burgim Rinor Deshishkun për plagosjen e tre adoleshentëve në një lokal në Prishtinë në vitin 2009.
Dënimi ka ardhur pasi i është ricilësuar vepra penale nga ‘’Lëndim i rëndë trupor’’ në ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka shpallur Aktgjykimin në rastin e të miturit – tani madhor R. D. Gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale ashtu që i mituri – tani madhor R. D është gjetur penalisht përgjegjës për veprën penale-Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm dhe ndaj tij ka shqiptuar dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej 4 (katër) vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës, raporton BetimipërDrejtësi.
Deshishku akuzohej se më 26 gusht 2009 në mbrëmje, në kafenenë “De Lux Novell”, për shkak të mosmarrëveshjes që kishte pasur me Bajram Musën, Nuhi Sopin dhe Florim Fazliun, pasi ka hyrë në lokal bashkë më shokët Fitim Morinën dhe Faton Hajdarin, posa kanë vërejtur grupin e lartcekur, ka filluar një zënkë, ku i mituri Deshishku kishte nxjerrë revolen nga brezi dhe ka shtënë disa herë me ç’rast ishin plagosur rëndë mysafirët që ishin në lokal, Argent Breznica, Brilant Krasniqi dhe Besart Hoxha.