Site icon PrishtinaPress

13 vjet nga fillimi punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, qytetarët të mllefosur

Qysh në vitin 2009 kishin filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Mirëpo, punimet janë zvarritur dhe ende nuk ka përfunduar ndërtimi i kësaj magjistraleje.

Ndërkohë, edhe në ato pjesë që u rregulluan kishte shembje të asfaltit. Në janar të vitit të kaluar, ende pa u bërë një vit nga asfaltimi i një pjese të magjistrales, kishte shembje të rrugës në fshatin Mazgit. E që nga ajo kohë, rruga ka mbetur në atë gjendje.

Rruga ishte shembur si pasojë e gërryerjes afër rrugës nga një kompani private, i cili kishte filluar gërmimet për ndërtimin e një objekti.

Ministria e Infrastrukturës në një përgjigjeje me shkrim për KosovaPress, ka thënë se punët kanë filluar por për arsyeje të disa mangësive në këtë magjistrale, ato janë ndaluar.

“Është kontraktuar operatori ekonomik, punët kanë filluar, mirëpo janë vërejtur mangësi në projekt dhe pa eliminim e këtyre mangësive, nuk mund të vazhdohet më tej. Jemi në pritje të eliminimit të mangësive në projekt nga autoritetet përkatëse në MMPHI, duke përfshirë edhe projektuesin dhe menjëherë pas përmirësimeve të bëra në projekt, punët do të vazhdojnë”, kanë thënë ata.

Qytetarët thonë se kjo rrugë është me rrezikshmëri të lartë, pasi ekziston mundësia e aksidenteve.

Agim Ramadani ka thënë se mosrregullimi i kësaj pjesë të shembur është pengës e madhe për qytetarët. Ai theksoi se problemi mund të zgjidhet shumë shpejt.

“Realisht është një pengës e madhe që na shkakton, ne duhet të shkojmë vazhdimisht të bëjmë gjysmërreth me poshtë për të ardhur deri te kjo pjesë. Nuk e di arsyen pse kjo zvarritje kaq e madhe për një problem shumë të vogël që mundet të zgjidhet shumë lehtë”, tha ai.

Qytetari Gafur Latifi tha se si pasojë e mosrregullimit të kësaj rrugë, mund të këtë edhe aksident, pasi është rrezikshmëri e madhe.

“Qe dy vjet a tri është kështu,.. është rrezikshmëri, mundet të vijë dikush tjetër e të bie aty poshtë, se çkyçët prej autostradës, fatkeqësisht mundet të ketë aksident shkaku i kësaj rruge”, tha Latifi.

Ndërsa disa qytetarë të tjerë u shprehen se ndriçimi mungon dhe krijohet trafik.

“Katastrofë çfarë kanë bërë kështu….Pak po valla se po kanë frikë njerëzit se munden të bien edhe poshtë”, ka thënë Besart Krasniqi.

Rrëshqitje pati edhe te ura në Babimoc. Lidhur me këtë, Ministria e Infrastrukturës thotë se presin të fillojnë në fund të muajit prill.

“Është kontraktuar operatori ekonomik, janë duke u bërë përgatitjet dhe presim fillimin e punimeve në fund të këtij muaji”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Për shkak të urës së shembur, qytetarët detyrohen të bëjnë kilometra më shumë deri te dalja e dytë, që është në fshatin Stanofc, por disa edhe i kundërshtojnë këto rregulla.

Bejtulla Mehmeti është shprehur se nuk po kanë tjetër zgjedhje, pasi ka një kohë që nuk është rregulluar.

 “Nuk kem qare ose të shkojmë në Stanofc e të kthemi përsëri këtu. Qe dy vjet është kështu, nuk e kanë rregulluar, edhe ajo pjesa tjetër në Mazgit. Kështu është prishë rruga e nuk po e rregullojnë, për çfarë arsyeje nuk e di”, ka thënë Mehmeti.

Një qytetarë tjetër kërkon që Qeveria të ndërmerr hapa më shpejt.

 “Po e vështirëson edhe shumë rrezik është, katastrofë, veç lutem ndërmarrin hapa më shpejt se që 2 vjet është kështu, hajt ajo Qeveri, hajt kjo Qeveri”, tha Mentor Mehmeti.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, punimet në këtë magjistrale janë planifikuar të përfundojnë këtë vit.

Exit mobile version