Site icon PrishtinaPress

13 fëmijë po trajtohen në spital pas infektimit me COVID, tre prej tyre foshnje tre muajshe

Trembëdhjetë fëmijë të moshave nga tre muaj deri në 16 vjeç, janë duke u trajtuar nga sëmundja COVID-19 në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, thotë ushtruesja e detyrës se drejtoreshës se kësaj klinike, Violeta Grajqevci. Në mesin e tyre, në këtë qendër janë duke u trajtuar edhe tre foshnje të moshës nën tre muajshe.

Grajqevci tregon se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 17 fëmijë janë paraqitur për tu kontrolluar në Klinikën e Pediatrisë, kurse tre raste kanë qenë për hospitalizim.

“Vetëm gjatë muajit gusht, në Klinikën e Pediatrisë, janë trajtuar 36 fëmijë, kurse për gjashtë muajt e parë të këtij viti(janar-qershor) në këtë klinikë kanë qenë 67 fëmijë”, tha Grajçevci.

Ajo tha që nga paraqitja e rasteve të para me COVID -19, në muajin mars të vitit të kaluar, dy fëmijë kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

Javëve të fundit, Kosova po regjistron rritje të rasteve me koronavirus, teksa varianti Delta – që është variant më ngjitës – është bërë variant dominues i koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë po raporton se ky variant po prekë edhe fëmijët dhe adoleshentët.

Vetëm në dy ditët e fundit (24-25 gusht) 547 persona të grupmoshave 0-19 vjeç, janë infektuar me koronavirus. Nga kjo shifër, 97 persona janë të grupmoshës nga 0-9 vjeç, kurse 450 persona të moshës 10-19 vjeç.

Simptomat më të shpeshta të fëmijëve të infektuar, sipas doktoreshës Grajqevci, janë problemet me mushkëri, vjellje, diarre dhe temperaturë. Ajo kërkon kujdes nga prindërit, që fëmijët të zbatojnë masat mbrojtëse kundër koronavirusit, respektimin e distancës, higjienës dhe veshjen e maskës. Njëherësh, kërkon vaksinimin e personave nën moshën 18 vjeç, sidomos tashmë në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

“Pasi varianti Delta, ka një përhapje më të shpejtë krahasuar më format tjera të virusit, do të ishte shumë e mirëseardhur të bëhet vaksinimi i moshave pediatrike aty ku lejohet. Vaksinimi tek grupmosha 12-16 vjeç, te ata fëmijë me imunitet të komprementuar, kurse të rinjtë mbi 16 vjeç të filloi vaksinimi në mënyrë sa më të madhe”, thekson ajo.

Nga mesi i këtij muaji, (16 gusht) Qeveria e Kosovës ka lejuar imunizimin kundër sëmundjes COVID-19, edhe për personat nën 18 vjeç. Vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer, ndërsa për grupmoshën 12-15 vjeç, vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.

Deri më tani, për personat nga 16 deri 18 vjeç janë vaksinuar 7458 persona, ku disa nga ta kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Përhapja e shpejtë e variantit Delta edhe tek fëmijët dhe adoleshentët, ka bërë që edhe infektologët, të bëjnë thirrje për respektim të masave mbrojtëse kundër koronavirusit, sidomos me fillimin e vitit të ri shkollor.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, më herët ka paralajmëruar se më 1 shtator, do nis viti i ri shkollor me prezencë fizike të nxënësve në shkolla. Kurse gjatë ditës se sotme, është thënë se po shqyrtohet mundësia e shtyrjes së fillimit të vitit të ri shkollor deri më 13 shtator, por që nuk është marr ndonjë vendim përfundimtar.

Infektologu Sali Ahmeti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se fillimi i vitit të ri shkollor me prezencë fizike në shkollë, mund të bartë rrezikshmëri për përhapje më të madhe të numrit të infektuarve tek fëmijët.

“Sidomos në situatën e tanishme, kur kemi të bëjmë me virusin Delta që është shumë më i transmetueshëm se sa variantet paraprake dhe kur nuk janë të kursyera as moshat e reja”, tha Ahmeti.

Përveç respektimit të masave mbrojtëse nga nxënësit, infektogu tjetër Xhevat Demiri, shprehet se është e domosdoshme që përgjegjësit e shkollave të furnizohen me mjete dezinfektuese dhe të mbahet pastërtia në shkolla.

“Tualetet të jenë në nivelin më të lartë të pastërtisë. Kuvendet komunale duhet që të bëjnë përgatitje të jashtëzakonshme për kthimin e nxënësve në shkollë”, thekson Demiri.

Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se “rikthimi në shkolla duhet të jetë i sigurtë për të gjithë, interesi më i mirë i fëmijëve do të jetë në qendër të vendimeve tona. Ministria do të vazhdojë të përcjellë me kujdes të shtuar gjendjen si dhe të ketë konsultime me profesionistët, para secilit vendim”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social në Facebook.

Exit mobile version