Me 80 vota për Kuvendi i Kosovës, më 7 prill të vitit 2011, ka zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagan, në postin e presidentes.
Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.
Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.
Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, ka dhënë betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.
Në fjalimin e parë para Parlamentit, presidentja Jahjaga tha se ka vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë.
Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi ka miratuar edhe rezolutën, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behxhet Pacolli, raporton KP.
Në këtë marrëveshje është përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë./PrishtinaPress/