Site icon PrishtinaPress

111 pacientë me coronavirus në Klinikën Infektive, 72 në oksigjeno-terapi, tre në respiratorë

Janë 111 pacientë të cilat janë të shtrirë në Klinikën Infektive, ku prej tyre 72 janë në oksigjeno-terapi, ndërsa katër në mjekimin Intensiv. Të shtunën nga këta pacientë, tre janë në respiratorë, ku gjendja e tyre është e rëndë. Mëngjesin e djeshëm në këtë klinikë ka vdekur një person, ndërkohë që edhe në orët e vona të natës ka humbur jetën një pacient COVID-pozitiv.

Kështu ka bërë të ditur  ushtruesja e detyrës së drejtorit së Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj – Berisha, e cila ka shtuar se ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve të spitalizuara në Klinikën Infektive

“Në Klinikën Infektive sot i kemi të spitalizuar 111 pacientë. Prej tyre 72 janë me oksigjeno terapi, ndërsa katër pacientë janë në mjekimin Intensiv. Prej tyre tre janë në respiratorë. Pacientët të cilët janë me oksigjeno-terapi ka pacientë të cilët janë në gjendje të rëndë, por që për momentin janë duke u menaxhuar nëpër reparte. Dje kemi pasur 16 pacientë të pranuar në klinikë, ndërsa shtatë pacientë janë liruar nga klinika”, thotë Ajazaj-Berisha, për KosovaPress.

Ajo përmes telefonit ka bërë të ditur se orët e vona të mbrëmjes ka humbur jetën një person i konfirmuar me COVID-19, ndërkohë që edhe në mëngjes në Klinikën Infektive ka vdekur një pacient tjetër.

“Dje në orët e hershme të mëngjesit ka qenë një rast i vdekjes, dhe në orët e vona e natës ka qenë po ashtu një rast i vdekjes COVID-pozitiv…Në Klinikën Infektive gjatë ditës numri ndryshon, por në asnjë moment pacientët të cilët kanë pasur nevojë për spitalizim në Klinikën Infektive, janë spitalizuar. Për arsye se lirohen dhe pranohen pacientët e tjerë. Por në momentin që mbushen kapacitet e klinikës, ju e dini në kuadër të Planit Organizativ të ShSKUK-së tani janë edhe klinikat COVID-19 të cilat janë të dedikuara për pacientin COVID-pozitiv. Kështu që çdo pacientë i cili ka nevojë për spitalizim, për momentin do të spitalizohet dhe menaxhohet nga mjekët”, shton ajo për KosovaPress.

Ajoazaj tregon se rastet të cilat kanë nevojë për trajtim dhe janë raste të konfirmuara me COVID do të dërgohen në Klinikën Infektive, ndërsa rastet e dyshuara në atë të Pulmologjisë.

“Ne dje në klinikë kemi pasur 91 raste ambulantore, të cilët kanë kërkuar trajtim në Klinikën Infektive. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë pacientët që kanë rezultuar pozitiv, dhe të cilët është dashur të trajtohen në mënyrë ambulantore. Ndërsa, ata që kanë pasur nevojë për spitalizim janë spitalizuar. Kështu që qytetarët tani më do të vizitohen”, thekson ajo.

Vetëm gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar 728 raste të reja me koronavirus, 60 të shëruar dhe 12 vdekje.

Ajazaj shton se rritja e numrit të pacientëve të spitalizuar në Klinikën Infektive, duhet të rris vetëdijen e qytetarëve për respektimin e masave mbrojtëse kundër përhapjes së kësaj sëmundje. /KP

Exit mobile version