Partia Popullore e Serbisë (NS), në ditën kur ra heroikisht në Betejën e Koshares luftëtari dhe heroi Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë, ka thënë se në atë betejë u vranë edhe 108 ushtarë serbë.
Përmes një postimi në Twitter, kjo parti thotë: “Në këtë ditë filloi beteja për Kosharen, në të cilën 108 ushtarë dhe oficerë të Ushtrisë Jugosllave dhanë jetën në mbrojtje të atdheut kundër agresorëve të NATO-s dhe terroristëve shiptarë (šiptar – termi pezhorativ për shqiptarët, shën.red.)”.
Më tej, kjo parti thotë se përmes referendumit në Serbi për të kundërshtuar marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, mbrohet ajo të cilën e mbrojtën “heronjtë e Koshares”.
“Sot e mbrojmë atdheun me referendum për refuzimin e marrëveshjes në të cilën dhurohet ajo që u mbrojt nga heronjtë e Koshares”, deklaroi NS-ja serbe.
Sot bëhen 24 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani.
Me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, më 9 prill, në Koshare u mbajt manifestimi “Ditët e shqipes”. Aty u tha se kjo betejë shënon njërën prej betejave më titanike të luftës për liri gjatë gjithë historisë.
Beteja e Koshares u zhvillua nga 9 prilli 1999 deri më 10 qershor 1999 në kuadër të Operacionit “Shigjeta”, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ushtrisë Jugosllave (JNA-së). Beteja u zhvillua në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbështetje nga Ushtria e Shqipërisë dhe nga Forcat ajrore të NATO-s. Konsiderohet njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më të suksesshmet të Luftës së Kosovës.
Në këtë betejë, Ushtria Jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë–Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e thyer kufirin dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.