Gjykata Themelore në Pejë, e ka dënuar 10 vite burgim mësuesin Xhevdet Jonuzajn, i cili akuzohet se vrau babën e nxënëses së tij për hakmarrje të paskrupullte. Gjykata këtë verdikt mori ndaj të pandehurit Jonuzaj pasi të njëjtit i është ricilësuar vepra penale, nga vrasje e rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
Akgjykimi ndaj Jonuzajt u shpall të martën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Murat Hulaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dënimi prej 10 viteve të akuzuarit Jonuzaj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 19 maj 2021.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari gjithashtu është dënuar me 2 mijë euro gjobë për veprën e dytë, ata për armëmbajtje pa leje , i cili obligohet ta paguaj në afat prej 3 muajsh.
Gjithashtu gjykata ka kërcuar edhe konfiskimi i armës me të cilin është kryer vepra penale.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 14 shkurt 2022, e ngarkon të pandehurit Xhevdet Januzaj se më 18 maj 2021, rreth orës 15:30 min në Pejë, në terracën e Restorantit “Te Zhara”, me paramendim e ka provokuar sulmin dhe ka privuar nga jeta të ndjerin G.K, nga hakmarrja e paskrupullt.
Kjo hakmarrje sipas prokurorisë kishte filluar pasi djali i të ndjerit më 29 dhjetor 2019, e kishte sulmuar fizikisht të pandehurin në vendin e tij të punës, pasi i pandehuri kishte sulmuar seksualisht motrën e tij minore dhe për më tepër ishte shpallur fajtor dhe gjykuar me dënim burgimi prej 3 vite e gjysmë nga Gjykata e Pejës.
Sipas Prokurorisë, pasi i pandehuri ishte lënë nga Gjykata e Pejës të mbrohet në liri, ishte pajisur me armë të tipit ‘’Rex Zero1CP”, që e kishte për shejtari, i cili më pas kishte vëzhguar lëvizjet e të ndjerit dhe familjarëve të tij në afërsi të banesës së tyre.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i ndjeri ishte njoftuar nga komshinjtë e tij se kanë parë të pandehurin me sopatë duke i pritur në lokalin “Relax”, për çka viktima G.K kishte lajmëruar dhe kërkuar mbrojtje nga policia por pa sukses.
Sipas Prokurorisë, në ditën kritike i ndjeri e vëren të pandehurin ulur afër banesës së tij në tarasën e lokalit, hynë në brendësi të lokalit dhe pretë që i pandehuri të largohet, e kur kjo nuk ndodh, del dhe ulet në tavolinën e tij dhe pasi nxjerr pistoletën që kishte në xhepin e setrës me mbishkrim “Mauser”, ia drejton dhe kërkon nga i pandehuri që të largohet me fjalët “çu hec prej ktuhit”.
Mirëpo, sipas Prokurorisë, i pandehuri nuk largohet dhe i ndjeri me armën e tij tenton që të shtie në të por arma e tij bllokohet dhe më pas i pandehuri nxjerr armën që kishte bërë gati nga çanta e krahut dhe qëllon mbi viktimën 13 herë, duke e lënë të vdekur në vend dhe duke rrezikuar jetën e kamerierit i cili ishte afër viktimës.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Vrasjes së rëndë”, nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 e 1.8 të KPRK-së, për të cilën parashihet dënimi jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Januzaj edhe për shkak të veprës penale të përdorimit të armës.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 par.2 të KPRK-së, për të cilën parashihet dënimi prej 1 deri 8 vite burgim./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.