Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 10 raste të reja me coronavirus, nga testimi i 2,288 mostrave.
Sipas raportit, në 24 orët paraprake nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes nga virusi, kurse janë shëruar edhe pesë pacientë.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Kosovë aktualisht janë 319 raste aktive me coronavirus, transmeton Telegrafi.
Sa i përket vaksinimit, brenda 24 orëve të fundit janë dhënë 3,236 vaksina kundër COVID-19.
Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në Kosovë në mars, në gjithë vendin janë dhënë 1,633,364 doza të vaksinës.
Deri të mërkurën më 8 dhjetor, të dy dozat e vaksinës i kanë marrë 768,814 qytetarë.
Ndryshe, Komiteti për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19 në takimin e mbajtur të martën, në funksion të zbatimit të Planit të përditësuar për vaksinimin në masë të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19, ka vendosur që duke filluar nga e enjtja (09.12.2021) të fillohet me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në popullatë.
Në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ata mund të zgjedhin një prej vaksinave që janë në përdorim në Kosovë: vaksinën e Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Situata epidemiologjike në Kosovë është vlerësuar se është e qetë, për dallim nga rajoni dhe Evropa që aktualisht po përballen me një valë të re të infeksioneve.