Norwich City është duke u munduar ta bëjë sa më shpejt një zgjidhje për Milot Rashicën.
Ylli kosovar nuk dëshiron të luajë në Championship (niveli i dytë i futbollit anglez) dhe po kërkon nga “Canaries” që ta shesin atë.
27 vjeçari e kaloi një sezon të shkëlqyeshëm me Galatasarayn në Turqi dhe do të ishte i lumtur nëse do ta vazhdonte eksperiencën në Stamboll.
Sipas gazetarit sportiv turk, Nevzat Dindar, klubi anglez i kërkon 10 milionë euro për kartonin e futbollistit vushtrrias.
Norwichi e kishte blerë ish-futbollistin e Vitesses nga Werder Bremeni për 11 milionë euro, prandaj dëshiron ta shesë atë për një shumë të përafërt me aq sa e bleu.
Përfaqësuesi kosovar i realizoi 4 gola dhe i bëri 6 asistime në 26 paraqitje sa i pati në Superligën turke në edicionin 2022/23.
Kjo nënkupton se ai pati kontribut në gol çdo 90 minuta, respektivisht me një mesatare prej 0,53, statistika e tij e dytë më e mirë në karrierë.
Ndërkohë, Galatasaray është i gatshëm t’i paguajë 7 milionë euro për lojtarin ofanziv.
Sulmuesin anësor e pëlqen edhe gjiganti tjetër nga Stambolli, Fenerbahçe.