Site icon PrishtinaPress

1 vit nga themelimi i Fondit të Sigurisë, opozita kërkon të bëhet publike shuma e mbledhur

Më 1 mars të vitit të kaluar, Qeveria Kurti, e ka themeluar Fondin e Sigurisë. Në vendim thuhet se hapja e këtij fondi është bërë për “forcimin e kompetencës së sigurisë, vullnetit dhe gatishmërisë së mërgatës sonë dhe qytetarëve në mbështetje të fuqizimit të sektorit të sigurisë si dhe sfidat regjionale që burojnë nga eskalimi i situatës në Ukrainë”. Mirëpo Qeveria ende nuk ka treguar shumën e mbledhur në këtë fond, derisa opozita ka disa kritika.

Gazeta Express

Në disa raste kryeministri Kurti ka lënë të nënkuptohet që në Fondin e Sigurisë janë mbledhur miliona euro, mirëpo shuma e saktë qe një vit nuk është bërë e ditur.

“Deri më tani në Fondin e Sigurisë janë grumbulluar para me numër shtatëshifrorë e donatorë të cilët kanë dhënë para janë në numër katërshifrorë”, kishte thënë Kurti.

Rreth kësaj teme, deputetët e opozitës kanë kritika e pakënaqësi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, në një përgjigje për Gazetën Express deklaroi se nuk ka informacione dhe njohuri për ecurinë e këtij procesi. Ai tha se në shtetet demokratike fondet nuk mbahen të fshehta dhe mbikëqyren nga komisionet përkatëse.

“Në lidhje me Fondin e Sigurisë, unë si deputet dhe anëtar i komisionit për mbikqyrjen e sektorit të sigurisë, nuk kam informata dhe njohuri për ecurinë e këtij procesi. Dua të them se nga autoritetet e qeverisë, mbahet konfidenciale se si menaxhohet fondi dhe cili eshtë totali i shumës. Në shtetet demokratike çështja e fondeve në sektorin e sigurisë nuk permbanë fshehtësi dhe ato mbikqyren nga komisionet përkatëse me të cilat sigurohen mbikqyrja demokratike, transparenca dhe llogaridhënia”, tha Quni.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, ka qenë më e ashpër në kritikat e saj drejtuar kryeministrit Kurti. Ajo tha se ky fond “i dedikohet Albin Kurtit dhe jo emrit që e mban”.

Ndër të tjerash, Musliu deklaroi se “sjellja e Albin Kurtit dhe marionetave të tij për sa i përket këtij fondi vetëm se na e kanë vërtetuar qëllimet plaçkitëse që i kanë modifikuar me termin siguri”.

“Fondi i Sigurisë është një fond që i dedikohet Albin Kurtit dhe jo emrit që ai fond mbanë. Duke qenë i tillë, askush nga ne nuk ka asnjë informatë rreth asaj se çfarë po ndodhë me atë fond. Kjo mungesë e transparencës po mundohet të arsyetohet me konfidencialitetin e çështjes, por një fond i tillë duhet të mbikëqyret vetëm dhe vetëm nga Kuvendi. Meqenëse kjo mbikqyrje nuk po ndodhë dhe nuk po ndodhë sepse nuk po lejohet, atëherë e kemi të drejtën të vëmë në dyshim qëllimin e krijimit të një fondi me sfond të ndjeshëm kombëtar sepse kjo është metoda më e lehtë për të mbledhur paratë e popullit. Sjellja e Albin Kurtit dhe marionetave të tij për sa i përket këtij fondi vetëm se na e kanë vërtetuar qëllimet plaçkitëse që i kanë modifikuar me termin siguri”, tha ajo.

Musliu në një bisedë me Gazetën Express tha se nuk kanë informacione për shumën e mbledhur në këtë fond, derisa deklaroi se për këtë temë duhet të raportojë Kurti.

“Mbajtja mbyllur e informatave rreth shumës së dhuruar duhet ta bëjë skeptik popullin nëse donacionet për këtë fond janë dedikim për sigurinë apo dedikim për një narcizoid dhe për akrobacionet e tij politike drejtë pushtetit dikatorial. Thjeshtë, të mendojnë mirë se ku i dedikojnë paratë e tyre të fituara me mund e me djersë. Le ta kujtojnë edhe një fond tjetër që u krijua si fondi për pandeminë. Edhe në këtë rast nuk kemi informata as se sa janë grumbulluar dhe as ku janë shkuar ato para. Nëse dhuruesit mendojnë vërtetë se po ndihmojnë në fushën e sigurisë, atëherë unë u bëjë thirrje që mos të japin paranë e tyre, por nëse dhuruesit mendojnë se duhet të dhurojnë mundin e tyre për ta pasuruar Albin Kurtin dhe klikën që e rrethon atë, atëherë le ta bëjnë zgjedhjen e tyre. A duhet të raportojë dikush për këtë fond? Natyrisht që po. Për këtë fond duhet të raportojë ideatori i tij, Albin Kurti. E ka detyrim edhe moral dhe edhe institucional dhe këtij detyrimi herët a vonë nuk do t´i ikë dot. Çdo ikje nga raportimi është një hap drejt keqpërdorimit të këtij fondi. Mungesa e raportimit është dëshmia e plaçkitjes moderne të udhëhequr nga Albin Kurti”, tha Musliu.

Kritika për fondin e Kurtit ka edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Ai kërkoi që të bëhet publike shuma e mbledhur në këtë fond, derisa shton se ky fond është “i mirë dhe më se i nevojshëm”.

Exit mobile version