Diplomatët e Perëndimit dhe emisari amerikan kanë mbërritur në Prishtinë, në zyrën e Albin Kurtit për takim me këtë të fundit.
Takimi ka nisur para një ore, por ende nuk ka asnjë informacion për çka po diskutohet, ndonëse temë kryesore do të jetë dialogu me Serbinë.
Deri tash nuk ka dalë asnjë deklaratë për ndonjë të arritur mes palëve.
Në Prishtinë janë i dërguari i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo.
Ndryshe, pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut.
Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve nga një grup terrorist.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit, mes policisë dhe atij grupi, janë vrarë edhe tre terroristë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiqit nga Serbia.