Site icon PrishtinaPress

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, u referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887.

Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e Parë të Gjenevës.

Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së Dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me kushtetutë e ligje liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës./PrishtinaPress/

Exit mobile version