Sonte në emisionin “Komiteti Qendror” – drejtuar nga Berat Buzhala, Leonard Kerquki dhe Shpend Limoni – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjinin, kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka folur për eksperiencat e tij në të kaluarën me krerët e partive politike në Kosovë, veçanërisht me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministrin Isa Mustafa.
Ai ka përmendur raste, në të cilat miliarderi ishte treguar, siç ka thënë ai, naiv kundrejt kreut të LDK’së, dhe u mashtrua për disa çështje politike.
Rast i tillë, sipas Pacollit, ishte bojkotimi i seancës parlamentare nga deputetët e LDK’së, në të cilën ai u zgjedh president i Kosovës, përkundër lutjeve që i kishte bërë ambasadori amerikan Mustafës, që deputetët e partisë së tij të qëndronin në seancën tjetër, në të cilën Pacolli do të rizgjedhej president.
Kreu i AKR’së ka treguar për rastin tjetër, në të cilin, sipas tij, kishte dalë i mashtruar nga Mustafa, pasi që ky i fundit e kishte vizituar çdo ditë në shtëpinë e tij, pas zgjedhjeve të vitit 2014, dhe në fund kishte thënë se këtë e ka bërë vetëm për ta ndalur Pacollin që ta takonte Hashim Thaçin. /Express/