Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar te gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë për zgjedhjet lokale të cilat po mbahen në terë territorin e Republikës së Kosovës.
Ajo ka thënë se ky proces është tejet i rëndësishëm për jetën e të gjithë qytetarëve.
Presidentja Osmani është deklaruar pasi ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik.
Osmani: Shpresoj që zgjedhjet sot të kalojnë pa asnjë incident
(Video)
“Sot qytetarët tanë pa dallim në çdo cep te vendit tonë, në çdo komunë votojnë për kualitetin e jetës së tyre, votojnë për komunat e tyre, votojnë për udhëheqësinë e cila do ta determinojë edhe mënyrën se si në katër vitet e tyre do të jetë jeta në komunat ku ata jetojnë. I ftoj që në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ta dëshmojnë sërish që qytetarët e Kosovës janë ata që në radhë të parë e mundësojnë e në radhë te dyte e mbrojnë çdo proces demokratik, çdo proces të lirë dhe të drejtë që ka të bëjë me jetën e tyre. Shpresoj që zgjedhjet sot të kalojnë pa asnjë incident”, ka thënë Osmani.
E para e shtetit ka bërë thirrje për respektim të masave antiCOVID.
Osmani ishte e shoqëruar nga bashkëshorti dhe dy vajzat e saj.