Ish-qendërmbrojtësi legjendar i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se Manchester Unitedi ka skuadër më të mirë se ish-klubi i tij dhe kjo gjë mund të ndikojë që Liverpooli të humbë në garën për titullin e Premierligës.
Liverpooli nuk arriti të siguronte fitore kundër West Hamit të hënë, kur ndeshja përfundoi 1:1. Ky rezultat bën që tani skuadra e Jurgen Kloppit të mbetet vetëm tri pikë para Manchester Cityt, transmeton prishtinapress.eu
Pep Guardiola dhe skuadra e tij mund të kthehen përkohësisht në pozitën e parë të tabelës këtë mesjavë, nëse arrijnë të fitojnë në ndeshjen kundër Evertonit, të mërkurën.
Pasi i ka barazuar dy ndeshjet e fundit, Carragher beson se Liverpooli është duke e dëshmuar se nuk e ka një skuadër edhe aq të mirë. Ish-mbrojtësi anglez e thekson vendimin e klubit për ta dërguar Nathaniel Clyne në huazim dhe paraqitjet e dobëta të Naby Keita, Roberto Firminos dhe Mohamed Salahut.
“Unë thash edhe dje se Manchester Unitedi ka skuadër më të mirë se Liverpooli. Njerëzit menduan se kjo ishte një gjë e çuditshme për ta thënë unë, por mendoj se jemi duke i parë shenjat e para për këtë gjë”, ka thënë Carragher.
“Sa i përket situatën për mbrojtësin e krahut të djathtë, Kloppi gaboi që e la Clyne të shkojë. E di se kishte disa lëndime, por nuk mund ta lejosh të largohet, duhet ta mbash në skuadër”.
“Keita, për të cilin paguam shumë para, duket i heshtur dhe e humb vazhdimisht topin. Firmino nuk duket si vetja. Nga Salahu, nuk pamë asgjë sonte”.